Për shkak të krizës nga Covid-19, xhiroja në shërbimet HoReCa (Hotele, Restorante, Kafene) dhe në sektorë të tjerë të tregtisë në Kosovë është ulur rreth 60%, ndërsa papunësia është rritur. Eksperti i ekonomisë, Safet Gerxhaliu, tha për “Monitor Ekonomi” se masat që po zbaton qeveria janë të pamjaftueshme për zbutjen e efekteve të krizës.
“Çdo ditë, kemi mbyllje të biznesit dhe largim të të punësuarve nga vendet e punës. Ka një rënie të lartë të qarkullimit, qoftë në HoReCa (Hotele, Restorante, Kafene), qoftë në tregti, prej afro 60% dhe në qoftë se kemi këtë rënie të kërkesës agregate, mendoni cilat do të jenë pasojat deri në fund të vitit.”
Në krahasim me vendet e rajonit, ai nënvizon se Kosova ka mbetur shumë prapa, pasi disa shtete po zbatojnë paketën e tretë dhe të katërt në mbështetje të ekonomisë dhe biznesit. “Në Kosovë jemi ende te paketa emergjente e miratuar në mars të këtij viti e cila, tani, pas rishikimit të buxhetit, ka filluar të paguhet. Jemi me muaj të tërë vonesë dhe kjo është koha kur duhet të ndahet politika nga ekonomia, sepse qytetarët kanë nevojë për ndihmë.
Dëmet do të shfaqen në mënyrë agresive më vonë, më tepër se sa janë shfaqur deri tani Është një kohë vërtet shqetësuese, edhe pse Kosova nuk e ka shpallur emergjencën kombëtare, situata është me të vërtetë e tillë. Ndihma e qytetarëve është detyrim për të qenë në funksion të tyre dhe jo gjithmonë vetëm drejt kalkulimeve politike dhe për interesa të disa grupimeve të interesit.”
Zoti Gërxhaliu rekomandon se është e domosdoshme të zbatohen paketa të tjera financiare në ndihmë të biznesit dhe të të punësuarve, qoftë edhe duke rritur nivelin e borxhit deri në 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Një hap që ka marrë qeveria deri tani, është tërheqja deri në 10% nga ana e qytetarëve nga kursimet e trustit pensional të Kosovës.
Mirëpo kjo nuk është një ndihmë, pasi thjesht po u lejohet qytetarëve të shfrytëzojnë mjetet e veta. Më tepër se 160 mijë shtetas përfitojnë vetëm nga 8 euro prej këtyre kursimeve. Për mendimin tim, ky është hap që sjell precedent politik, më e logjikshme do të ishte që qeveria të rrisë borxhin publik, pasi i ka mundësitë, dhe nga trusti pensional të marrë 200 milionë euro, të cilat t’u shpërndahen qytetarëve.
Nuk mund të arsyetohet sot vonesa në mosratifikimin deri në fund të këtij muaji i marrëveshjes ndërkombëtare për ndihmë të Kosovës, nuk mund të justifikohet vonesa për rishikimin e buxhetit, nuk mund të justifikohet vonesa e miratimit të ligjit për rimëkëmbjen ekonomike. Mbi të gjitha, Kosova ka një përparësi që duhet ta shfrytëzojë, rritjen e borxhit publik.
Në bazë të ligjit mbi financat publike, Kosova ka të drejtë të jetë e zhytur në borxhe deri në 40% të PBB-së, ne kemi afro 25% të shfrytëzuara deri tani. Besoj se kjo mund të jetë një alternativë dhe pse jo, të merret modeli i vendeve të rajonit që me vendim të Parlamentit e kanë rritur shkallën e borxhit publik deri në 60%.”
Në Maqedoninë e Veriut, Hisen Xhemaili, ministër i Politikave Vendore, thotë se paketat e ndihmës financiare janë zbatuar në ndihmë të sektorit të turizmit dhe prodhimit. “Edhe Maqedonia nuk ka marrë masa shtesë për ndihmë, kjo për shkak të ndryshimeve qeveritare.
Aktualisht, kemi akorduar një pagë minimale për muajin qershor për kategoritë e miratuara paraprakisht, ku përfshihen subjektet që kanë pasur humbje gjatë karantinës. Janë në fazë realizimi 95 mijë kuponë për turizëm në vend, me vlerë 100 euro. Gjithashtu janë në fazë realizimi edhe kuponë për të blerë produkte vendase në vlerë prej 26 milionë eurosh.
Nëpërmjet Bankës për Zhvillim janë ndarë 21 milionë euro në formën e granteve, në masën 25% të vlerës së investimit për kompanitë që kanë investuar për kapacitete prodhuese në kohën e pandemisë.” Efektet e pandemisë për vendet e tjera të rajonit si Serbia, llogariten të jenë ulja e PBB-së me 6.5% ,ndërsa Mali i Zi shpreson rimëkëmbjen prej të ardhurave nga turizmi. /Monitor.al/