Studimi, vetëm 61% e bizneseve në Shqipëri kanë mbetur fitimprurëse pas pandemisë

Heqja e masave kufizuese dhe kthimi në normalitet i aktivitetit ekonomik në vend nuk po sjell shërim të shpejtë në shumë biznese.

Banka Botërore, në një studim të posaçëm, që u publikua këto ditë në lidhje me efektet negative që kanë përjetuar kompanitë e regjistruara në tatime përllogariti se 61% e bizneseve të regjistruara në Shqipëri nuk po rezultojnë fitimprurëse pas heqjes së masave bllokuese.

Studimi mori në konsideratë ecurinë e pagesës së tatim-fitimit, arkëtimet e të cilit janë 65% e parashikimeve fillestare edhe pas heqjes së masave.

Reklama e sponzorizuar

Në sektorët me ndikim të lartë të tilla si shërbimet dhe kryesisht turizmi, transporti etj, ku bizneset regjistrojnë humbjet më të mëdha.

Studimi vlerësoi se, bizneset e lidhura me furnizimin ushqimor, pijet, ato farmaceutike përjetuan ndikim të ulët nga pandemia, ndërsa industria tekstile, fabrikat e mobilieve,  riciklimi, prodhimi i energjisë, prodhimi i hekurit dhe çimenton patën një ndikim të mesëm nga pandemia.

Studimi vlerësoi se bizneset më të goditura nga kriza ishin shitësit e automjeteve, dyqanet e rrobave dhe këpucëve, ato të produkteve dhe veshjeve sportive të luleve, dhuratave, pjesëve të makinave, aksesore etj.

Gjithashtu në sektorin e transportit rezultuan me ndikim negativ të lartë, transporti ajror, transporti me taksi sidomos në shërbim të shkollave, tranziti, transporti ujor dhe bizneset e tjera që lidhen me transportin. Në sektorin e hotelerisë dhe ushqimit, më të goditurat ishin restorantet dhe lokalet të dedikuara pijeve të forta.

Goditje të fortë pësuan edhe bizneset e lidhura me argëtimin si kompanitë që merreshin me performanca të artit, artistët e pavarur, lojërat dhe rekreacioni në përgjithësi. Me ndikim të lartë negativ u përballën edhe bizneset dentare, kujdesit personal dhe shërbime të tjera personale.

Bizneset e sektorit të informacionit dhe komunikimit u vlerësuam me impakt të ulët dhe po kështu, edhe bizneset e aktiviteteve profesionale, shkencës dhe aktiviteteve administrative. Kriza pati ndikim të ulët në bizneset që lidhen me shëndetin.

Studimi vlerëson se ndikimi i krizës në ekonominë e përgjithshme është i rëndë, duke ndikuar negativisht në grumbullimin e taksave, në rritjen e deficitit, rritjen e borxheve në ekonomi, rritje të papunësie dhe rënie të të ardhurave për popullatën.