KE: Asnjë vend i BE-së nuk ka sinjalizuar ende emergjenca për furnizimin me gaz

Tubacion i gazit

Deklaratat e Gjermanisë dhe të Austrisë për një “paralajmërim të hershëm” në lidhje me furnizimin me gaz janë një masë paraprake që rrit monitorimin e furnizimit, por asnjë vend i BE-së nuk ka sinjalizuar ende se po përballet me një emergjencë furnizimi, tha të enjten Komisioni Europian.

Gjermania dhe Austria filluan të mërkurën zbatimin e “fazës së paralajmërimit të hershëm” të planeve të tyre të emergjencës për të menaxhuar furnizimet me gaz, në vazhdën e shqetësimeve për një ndërprerje të furnizimeve nga Rusia, pasi Moska u kërkoi blerësve të huaj që të paguajnë për karburantin në monedhën rubla.

Masa të tilla janë “hapa paraprake” që ndërmerren nga vendet e Bashkimit Europian kur ato identifikojnë një rrezik të mundshëm për furnizimin me gaz, por deri më tani këto vende nuk kanë identifikuar ndonjë emergjencë akute të furnizimit, tha të enjten një zëdhënës i Komisionit Europian.

Reklama e sponzorizuar

“Në ҫdo rast, nuk është sinjalizuar asnjë çështje për sigurinë e furnizimit deri tani që flasim,” tha zëdhënësi, duke shtuar se gjendja e “paralajmërimit të hershëm” është niveli më i ulët i njoftimit të krizës, sipas rregullave të BE-së për çështjet që lidhen me furnizimin me gaz.

Rregullat e BE-së i detyrojnë vendet të kenë plane për mënyrën se si do të menaxhonin ndikimin e një ndërprerjeje të furnizimit me gaz, sipas tre nivele të krizës: paralajmërimi i hershëm, alarmi dhe emergjenca.

Sinjalizimi i “paralajmërimit të hershëm” rrit monitorimin e furnizimit të një shteti të caktuar, duke kërkuar nga kompanitë e përfshira në tregun e gazit që të ndajnë informacione me autoritetet në bazë ditore.

Niveli i fundit i “emergjencës” do të ishte pika kur qeveritë mund të detyronin industrinë të kufizonin aktivitetin, për t’u siguruar që familjet dhe shërbimet thelbësore, si për shembull spitalet, të mund të vazhdojnë të furnizohen me gaz.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës, tha se kishte ngritur një ekip për të monitoruar këtë krizë, me anëtarë nga ministria e ekonomisë, agjencitë rregullatore dhe sektori privat, i cili do të mbikëqyrë importet dhe nivelet e rezervave të gazit.

Austria, e cila merr rreth 80% të gazit të saj nga Rusia, tha se do të rriste monitorimin e tregut, por nuk do të merrte ndonjë masë shtesë për momentin për të siguruar furnizimin.

Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se blerësit e gazit rus “duhet të hapin llogari në rubla në bankat ruse. Nga këto llogari do të bëhen pagesat për gazin që do të dërgohet te vendet e tjera, duke filluar nga dita e nesërme”, pra nga 1 prilli.

Nuk ishte shumë e qartë nëse mund të kishte ndonjë mënyrë në praktikë që firmat e huaja të vazhdojnë pagesat pa përdorur rubla, gjë që Bashkimi Europian dhe grupi i vendeve të G7 e kanë përjashtuar si mundësi.

Ministri gjerman i financave, Christian Lindner, tha se kontratat ekzistuese të gazit bazoheshin te monedha euro dhe pagesat do të vazhdonin të kryheshin në këtë monedhë. /Reuters/