Normat mesatare të interesit për kreditë e qytetarëve nëpër bankat komerciale kanë shënuar rritje në vitin 2019. Rritje të kamatave pati tek ekonomitë familjare dhe kreditë ndaj ndërmarrjeve.
Sipas raportit vjetor-2019, të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kreditë për ekonomitë familjare kishin shënuar një rritje të normës së interesit në 6.8 përqind, nga 6.3 përqind sa ishte në dhjetor të vitit 2018.
“Kreditë për ekonomitë familjare gjithashtu shënuan rritje të normës mesatare të interesit në 6.8 përqind, nga 6.3 përqind sa ishte në dhjetor 2018”, thuhet në raport.
Ndërkohë, ajo për ndërrmarrjet në vend ishte rritur në 6.2 përqind, nga 6.0 përqind sa ishte në dhjetor të 2018-s, përcjell Buletini Ekonomik. Në kuadër të kësaj kategorie, edhe norma e interesit në kreditë investuese kishte shënuar rritje gjatë 2019-s, përderisa norma e interesit në kreditë joinvestuese kishte shënuar një rënie në fund të vitit.
Sipas sektorëve të veçantë të ekonomisë, kreditë për sektorin e bujqësisë ishin karakterizuar me një rënie të normës së interesit, pas rritjes në vitin paraprak (2018). Po ashtu, edhe norma mesatare e interesit për kreditë e sektorit të industrisë kishte vazhduar trendin rënës. Ndërsa, sektorët tjerë ishin karakterizuar me rritje të normave të interesit krahasuar me rënien në vitin 2018, siç ishte rasti me ekonomitë familjare.
Përveç këtyre, edhe normat e interesit në depozita kishin shënuar një rritje të lehtë. Duke iu referuar raportit të BQK-së, në dhjetor të 2019-s, interesi në depozita kishte arritur në 1.6 përqind, për 0.13 pikë përqindje më lart sesa në periudhën e njëjtë të vitit 2018.
Norma mesatare e interesit në depozitat e ndërmarrjeve ishte ngritur për 0.2 pikë përqindje në 1.7 përqind. Ndërkaq, norma mesatare e interesit në depozitat e ekonomive familjare kishte shënuar rritje margjinale prej 0.07 pikë përqindje duke qëndruar në rreth 1.4 përqind në dhjetor të po këtij viti. Dallimi në mes të normës mesatare të interesit në kredi dhe asaj në depozita, sipas BQK-së më 2019-n ishte zgjeruar në 4.8 përqind në krahasim me 4.5 përqind sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Pra, si përfundim nga anketa, norma mesatare e interesit në kredi në dhjetor 2019 u ngrit në 6.4 përqind, përderisa norma mesatare e interesit në depozita arriti në 1.6 përqind. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/