Në vitin 2019, bankat në Kosovë i rritën kamatat, përkundër kërkesave të vazhdueshme nga sektorit privat dhe qytetarët për ulje të tyre, përcjellë Buletini Ekonomik.
Në raportin vjetor të BQK-së për vitin 2019 thuhet se “norma mesatare e interesit në kredi në dhjetor 2019 u ngrit në 6.4 përqind, përderisa norma mesatare e interesit në depozita arriti në 1.6 përqind.
“Dallimi në mes të normës mesatare të interesit në kredi dhe asaj në depozita u zgjerua në 4.8 përqind në krahasim me 4.5 përqind sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në raport.
Kreditë për ekonomitë familjare shënuan rritje të normës mesatare të interesit në 6.8 përqind, nga 6.3 përqind sa ishte në dhjetor 2018.Rritje të çmimit të kredisë pati edhe te kreditë ndaj ndërmarrjeve.
“Norma mesatare e interesit në kreditë ndaj ndërmarrjeve u rrit në 6.2 përqind nga 6.0 përqind sa ishte në dhjetor 2018”.Në kuadër të kësaj kategorie, norma e interesit në kreditë investuese shënoi rritje, përderisa norma e interesit në kreditë joinvestuese shënoi rënie në fund të vitit.
Sipas sektorëve të veçantë të ekonomisë, kreditë për sektorin e bujqësisë u karakterizuan me rënie të normës së interesit, pas rritjes në vitin paraprak, po ashtu norma mesatare e interesit për kreditë e sektorit të industrisë vazhdoi trendin rënës. /Buletini Ekonomik/