Biznesi i ri e nisi mbarë veprimtarinë, por të mbrapshtën ia dha pandemia.
Vetëm tre muaj pas hapjes, parkut argëtues dhe edukativ për fëmijë iu vu dryni për shkak të mbylljes ekonomike, rrjedhimisht, pa punë mbetën edhe 50 punëtorët e këtij.
E megjithëse i rihapën dyert një muaj më parë, sipas menaxheres së këtij biznesi, Teuta Dalladaku, kthimi në punë i të gjithë punëtorëve ka qenë i pamundur.
Ajo tregon se qarkullimi i këtij biznesi ka rënë për 80 për qind në krahasim me periudhën para pandemisë, ndërsa ka kërkuar nga shteti që ta kalojë sa më parë Projektligjin për rimëkëmbje, që të ndalojë falimentimin e bizneseve.
Megjithatë, votimi i këtij projektligji është ende në pikëpyetje, pas pesë herëve të dështuara që të sigurohen votat e mjaftueshme, dhe në seancën e së enjtes, do të tentohet për herë të gjashtë, raporton KOHA.
“Pres që nesër të kalojë ky projektligj. Se si do të zhvillohen procedurat dhe sa herë nuk mund të them, kjo është punë që të bisedohet brenda grupeve parlamentare, brenda Kryesisë së Kuvendit. Ne duhet të tentojmë derisa të arrijmë të aprovojmë këtë projektligj, pasi është ndihmë në shpëtim të ekonomisë së Kosovës”, ka thënë zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi.
Sipas Krasniqit, rënia ekonomike është më e madhe sesa që është planifikuar, pasi siç ka pohuar vitin nuk mund ta mbyllin nën 6.5 për qind rënie ekonomike apo 300 milionë euro më pak të hyra.
Në mungesë të numrave për të shtyrë përpara këtë projektligj, Qeveria Hoti ka ndarë 87 milionë euro për zbatimin e masave të Planit të rimëkëmbjes, për të cilat nuk nevojiten ndryshimet ligjore.
Me këto ndarje janë shpenzuar të gjitha fondet e parapara për programin e rimëkëmbjes.
Ndërsa për mjete të tjera shpresohet te Projektligji për rimëkëmbje dhe disa marrëveshje ndërkombëtare, të cilat u shkruan të mërkurën në Komisionin për Buxhet.
Gjatë kohës së pandemisë janë krijuar vështirësi të mëdha në mbajtjen gjallë të bizneseve, disa prej tyre janë detyruar edhe të mbyllen.
Sipas shifrave zyrtare, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë shuar 576 biznese dhe Pakoja Fiskale Emergjente vlerësohet se nuk e ka lehtësuar aspak ndikimin e pandemisë.