Buxheti i vitit 2021 së shpejti do miratohet në Kuvend

Buxheti i vitit 2021 pritet që shumë shpejt të shkojë për miratim në Kuvend. Mirëpo, koalicioni qeverisës ende nuk e di a do t’i këtë votat e mjaftueshme për kalimin e buxhetit. Ndërkaq, përfaqësues nga shoqëria civile vlerësojnë që buxheti duhet të kalojë pa vonesa, pasi ekonomia e vendit është e rrënuar për shkak të pandemisë.

Kuvendi i Kosovës është duke u përballur me mungesë të kuorumit për kalimin e shumë projektligjeve. Fat të njëjtë pritet të ketë edhe Projektligji për buxhetin. Por, njohës të zhvillimeve politike po vlerësojnë se deputetët duhet të jenë të përgjegjshëm për sa i përket votimit të buxhetit, për shkak se ekonomia e vendit është e rrënuar si pasojë e pandemisë. Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radio Kosovën se Qeveria duhet të tentojë në të gjitha format që kalojë buxhetin, për të shmangur krizat ekonomike që mund të prekin sektorin publik.

“Është obligim i qeverisë që të tentojë me të gjitha format parlamentare që t’i sigurojë votat për kalimin e buxhetit. Në mënyrë që të shmangen krizat eventuale ekonomike apo tensionet qytetare për shkak të mos kalimit të buxhetit që medoemos do e prekte sektorin publik, atëherë unë besoj që Qeveria duhet të ndryshojë qasjen karshi opozitës.”

Reklama e sponzorizuar

Edhe analisti politik, Blerim Burjani, tha se deputetët do të duhej të jenë të përgjegjshëm dhe ta aprovojnë buxhetin, duke i lënë anash siç i quajti ai, luftërat politike pozitë-opozitë.

“Si deputetë të të gjitha partive politike, duke e parë situatën ekonomike në të cilën ndodhet vendi, duhet të jenë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm të arrijnë qëllimin dhe të aprovojnë buxhetin për vitin 2021. Ndërkaq, betejat politike pozitë-opozitë t’i lënë anash.”

Qeveria e Kosovës e ka miratuar Projekt-buxhetin prej 2 miliardë e 412 milionë eurosh për vitin 2021. Ndërkaq, pritet që javët në vazhdim të shkojë në Kuvend për aprovim. Në bazë të procedurave ligjore, fundi i tetorit është koha kur qeveria duhet ta miratojë propozim-buxhetin për vitin fiskal dhe ta dorëzojë në kuvend, kurse afati përfundimtar kur duhet të miratohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës është data 31 dhjetor.