ATK u bën thirrje pronarëve të deklarojnë të ardhurat nga qiraja, paralajmëron masa për shkelësit

Fotografi ilustruese

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se ka intensifikuar aktivitetet për identifikimin e të ardhurave të padeklaruara nga dhënia me qira e pronave, duke përfshirë edhe ato që realizohen përmes platformave elektronike si Airbnb.

Përmes një njoftimi zyrtar, ATK u ka bërë thirrje të gjithë personave fizikë që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e banesave, shtëpive apo pronave të tjera, që t’i deklarojnë ato dhe të përmbushin detyrimet tatimore në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Reklama e sponzorizuar

Sipas ATK-së, ky veprim synon të nxisë përmbushjen vullnetare të obligimeve tatimore dhe të sigurojë trajtim të barabartë për të gjithë tatimpaguesit.

Administrata Tatimore thekson se personat që ende nuk i kanë deklaruar të ardhurat nga qiraja duhet sa më parë të:

  • pajisen me Numër Fiskal, nëse nuk janë të regjistruar;
  • deklarojnë të ardhurat e realizuara; dhe
  • paguajnë detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.

ATK gjithashtu ka njoftuar se, në kuadër të luftimit të ekonomisë joformale, ka analizuar informacionet dhe të dhënat që posedon, duke konstatuar se një numër personash kanë realizuar të ardhura nga dhënia me qira e pronave pa u regjistruar, pa i deklaruar ato dhe pa përmbushur detyrimet tatimore.

E në rast se këta tatimpagues nuk i përmbushin vullnetarisht obligimet e tyre, ATK paralajmëron se do të ndërmarrë veprimet e parapara me ligj.

Këto masa përfshijnë regjistrimin sipas detyrës zyrtare, vlerësimin e detyrimeve tatimore mbi bazën e të dhënave dhe provave që disponon, ngarkimin me interesa dhe gjoba, si dhe masa të tjera administrative dhe ligjore të parashikuara nga legjislacioni tatimor.

Ky paralajmërim vjen në kuadër të formalizimit të ekonomisë dhe për të siguruar deklarimin e të gjitha të ardhurave që realizohen nga dhënia me qira e pronave, përfshirë edhe ato përmes platformave digjitale si Airbnb. /Buletini Ekonomik/