Gjykata Komerciale në Kosovë, e paralajmëruar nga qeverisja e kaluar, tashmë ka marrë rrugën e themelimit të saj.
Në gushtin e sivjetmë, Projektligji për Gjykatën Komerciale ishte vendosur në fazën e konsulltimeve publike, me qëllim të funksionalizimit të saj, përcjell Buletini Ekonomik.
Pas themelimit të Gjykatës Komerciale, pritet që të gjitha çështjet ekonomike dhe konfliktet administrative në kontestet ekonomike brenda tregut vendas, të jenë në kompetencat e saj. Ajo do të jetë mbikëqyrësja kryesore e të gjitha kontesteve ekonomike, midis shoqërive tregtare vendore dhe ato të huaja që operojnë në Kosovë, në lidhje me çështjet tregtare përkatëse.
Funksionet kryesore të cilat pritet që kjo Gjykatë t’i këtë mbi vete janë, pra të gjitha problemet e sektorit të tregtisë dhe të biznesit në vend, me të cilat përballet vazhdimisht ky sektor, duke filluar nga përmbarimet, zbatimi i vendimeve lokale dhe ato ndërkombëtare për arbitrazhin, kontestet gjyqësore mes bizneseve, falimentimi dhe shuarja e bizneseve, procesi i konkurrencës në treg, marrëveshjet e monopolit e shumë të tjera.
Si përgjithësim, ndër kompetencat e kësaj Gjykate do të jenë këto: -prapësimet kundër urdhërit për përmbarim për çështje brenda kompetencë të kësaj Gjykate; njohja dhe lejimi i zbatimit të vendimeve të rrafshit lokal dhe ndërkombëtar të arbitrazhit; kontestet gjyqësore që rrjedhin nga Ligji në fuqi për Shoqëritë Tregtare; riorganizimi, falimentimi dhe shuarja e shoqërive tregtare; kontestet në lidhje me pengimin e posedimit në mes të shoqërive tregtare; kontestet në lidhje me pasuritë e paluajtshme të shoqërive tregtare; kontestet që lidhen me shkeljen e konkurrencës, keqpërdorimit ose monopolit dhe pozitës dominuese në treg, si dhe marrëveshjet monopole duke përfshirë vlerësimin e paligjshmërisë; mbrojtjen e të drejtë të autorit dhe pronësisë industriale, përfshirë markat tregtare, patentat, dizajnët industriale, sekretet tregtare dhe format e tjera të pronësisë industriale, siç parashihet nga legjislacioni përkatës; mes tjerash. /Buletini Ekonomik/