Deputetët përplasen për Devollët

Në shqyrtimin e projektligjit për automjetet ku po diskutohet heqja e homologimit për veturat që vijnë nga jashtë, procedurë që kryhet nga Qendra e Automjeteve të Kosovës “Eurolab”, që është pronë e familjes Devolli, deputetët po e akuzojnë njëri-tjetrin se financohen nga Devollët.

“Nëse për një parti politike është e dokumentuar se financohet nga Devollët atë e ka thënë vetë ish-deputeti, Florin Krasniqi. Pra në këtë rast Vetëvendosje dhe Albin Kurti financohen nga Devollët. Dhe këtu po më shqetëson edhe qasja e Qeverisë se moskthimi i mendimit nga Qeveria këtu po e shoh si tendencë të përbashkët të Qeverisë dhe Vetëvendosjen me e dërgu një lëndë në arbitrazh ndërkombëtar dhe si i kanë zhvatur 30 milionë euro me Z-Mobile ta bëjnë të njëjtën edhe me homologimin”, ka thënë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, drejtuar deputetëve të VV-së që thanë se ata që janë kundër ndryshimeve në Ligjin për Automjetet tash, janë “pro Devollëve”.

Rexhep Selimi i ka reaguar Tahirit.

Reklama e sponzorizuar

“Kujt i’u pat tha fyti si parti politike, a të kujtohet? Fokusohuni në temë nëse nuk dëshironi ne kemi shumë çfarë të ju pyesim, një ndër pyetjet është edhe kjo”, ka replikuar Selimi.

Ndërkaq, kryeparlamentarja Vjosa Osmani, u është përgjigjur zërave që mos Kosova rrezikon edhe një padi në Arbitrazh nëse ndryshon ky ligj.

“Në mandatin e kaluar ka qenë një rezolutë e iniciuar nga partitë opozitare dhe u pat ngrit e njëjta çështje sa i përket arbitrazhit sepse mbi të gjitha është çështje profesionale. Për ta dërguar dikë në arbitrazh duhet të ketë kontratë mes dy palëve. Kontrata për homologim ka skaduar rrjedhimisht edhe e drejta e asaj pale për ta paditur shtetin në arbitrazh ka skaduar”, ka thënë ajo.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që të hënën në Kuvend të votohen ndryshimet ligjore në Ligjin për Automjete, për të mundësuar heqjen e homologimit për veturat që vijnë nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Norvegjia. Megjithatë, kërkesa që ka marrë propozimin nga komisioni parlamentar, nuk po përkrahet nga Qeveria.

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka kërkuar që të pritet propozimi i Qeverisë për ndryshimet në këtë ligj.

“Detyrimi për t’i homologuar mjetet nga vendet që kanë standarde të ngjashme me Kosovën nuk paraqet ndonjë vlerë të shtuar për qytetarët por vetëm zhvatje. Në anën tjetër kjo përbën barrë të panevojshme financiare për qytetarët. Për më tepër heqja e këtij detyrimi është poashtu në linje me BE-në saktësisht me eliminimin e barrierave tregtare”, ka thënë Murati.

Por ky ligj nuk po mbështet nga LDK-ja. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se projektligji është shumë i thjeshtë, por shumë keq i arsyetuar. Sipas tij, projektligji nuk zgjidh asgjë dhe lë hapësirë për interpretime të ndryshme.

“Ligji duhet të shikohet në tërësi. Unë dhe grupi i LDK-së kemi një problem tjetër me këtë ligj sepse nuk ka mendim nga Qeveria. Ne përmbahemi nga votimi derisa Qeveria të vij me propozim konkret se kur e bie në Kuvend Projektligjin për automjete. Paraprakisht kërkojmë mendim të Qeverisë”, ka thënë Gashi.

Edhe PDK-ja ka vlerësuar se projektligji është i mangët. Deputeti Bajrush Xhemaili, tha se draftligji është i varfër dhe si i tillë nuk ua merr as homologimin atyre që e kanë por as monopolin.

Edhe AAK-ja ka thënë se projektligji nuk është i trajtuar në detaje prandaj i kanë propozuar Qeverisë që ta ofrojë në Parlament një projektligj konkret dhe të realizuar.

Ndërsa, Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi u ka bërë thirrje deputetëve që të presin propozim-ndryshimin e Qeverisë në lidhje me këtë projektligj.

“Qeveria dhe unë kam kërkuar më 15 qershor të futet në agjendë legjislative të plotësohet dhe ndryshohet ligji për automjetet. Ky ligj duhet të ketë një trajtim gjithpërfshirës prandaj nuk mund të bëjmë ndërhyrje ad-hoc. Në propozimin tonë qeveritar që është duke u trajtuar ne do të trajtojmë një sërë çështjesh duke përfshirë edhe homologimi. Është mirë që Kuvendi të presë propozimin-ndryshimin e Qeverisë”, ka thënë ministri.

Në seancën e sotme, me 91 vota pro është votuar Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për transferimin e personave të dënuar.

Me 76 vota për u votua në lexim të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për deminim humanitar.