Gjendja e këtoditshme sërish alarmon se në Obiliq dhe në fshatrat përreth termocentraleve të Kosovës, vazhdon të ketë nivel të frikshëm të ndotjes, por edhe pasoja të përmasave alarmuese të ndotjes së ajrit, ujërave dhe tokës. Kosova vazhdon të jetë njëra ndër vendet me ambientin më të ndotur dhe të degraduar, si rrjedhojë në radhë të parë të prodhimit të pjesës dërrmuese të energjisë elektrike nga qymyri për dekada me radhë. Cilat janë pasojat e ndotjes enorme të madhe nga termocentralet?
Buletini Ekonomik
Janë banorët e Obiliqit dhe të fshatrave përreth termocentraleve Kosova B dhe Kosova A, që këtyre ditëve sërish alarmuan opinionin për nivelin enorm të lartë të ndotjes së ambientit nga tymi dhe grimcat e hirit, nga “vjellja” e termocentraleve e vjetra të Kosovës. Retë masive të ndotësve tashmë të ditur nga prodhimi i energjisë elektrike me qymyrin si burim kryesor energjetik, që me ditë të tëra në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit, sipas shumë banorëve bashkëbisedues të medieve, në përmasa kaq të mëdha, janë pasojë e drejtpërdrejtë e heqjes nga operimi i elektrofiltrave nga KEK-u, po ashtu shumë të vjetër, që Korporata Elektroenergjetike herë pas herë e bënë me qëllim të “kursimit” të parave.
Sipas banorëve, elektrofiltrat ekzistues, edhe pse janë shumë të vjetër dhe janë vetëm pjesërisht të efektshëm në parandalimin e ndotjes nga djegja e qymyrit, kur janë jashtë përdorimit fare, në fshatrat përreth kompleksit elektroenergjetik te vendit, e bëjnë jetën shumë të vështirë. Rrezikohet, para se gjithash shëndeti i qindra banorëve, në radhë të parë nga pasojat e tymit dhe grimcave të hirit që dalin pa kontroll nga oxhakët e termocentraleve të Kosovës B dhe Kosovës A, keqësohet gjendja e qindra të sëmurëve kronikë si pasojë e ndotjes të pamatë të ajrit, ujit dhe tokës, por edhe paraqiten raste të reja të të sëmurëve numerikisht të shumtë.
Gjendja e këtoditshme e ç’ekuilibrimit në përmasa të frikshme të ambientit si pasojë e ndotjes së madhe, edhe një herë flet bindshëm se në ambientet përreth termocentraleve vazhdon të ketë nivel alarmant të ndotjes, dimrit dhe verës, në vendbanimet urbane dhe rurale, në tokë dhe në ujëra, por edhe pasoja të përmasave alarmuese të ndotjes së ajrit, ujërave dhe tokës. Dhe, kështu, Kosova vazhdon të jetë njëra ndër vendet me ambientin më të ndotur dhe të degraduar, si rrjedhojë në radhë të parë të prodhimit të pjesës dërrmuese të energjisë elektrike nga qymyri për dekada me radhë (aktualisht mbi 90 për qind e megavatëve te energjisë elektrike janë nga prodhimi në bazë të thëngjillit).
Disa të dhëna, të bëra publike nga individë ambientalistë dhe dashamirës të natyrës së pastër, por edhe ca të shifrave sporadike që vijnë nga institucione të ndryshme qoftë vendore, qoftë ndërkombëtare dhe nga shoqëria civile, flasin se Kosova ka nivel alarmant të ndotjes dhe tashmë me pasoja evidente shëndetësore. Sëmundjet si pasojë e ndotjes prekin, sidomos njerëzit nga zona e ndikimit të termocentraleve.
Një raport i viteve më parë i Bankës Botërore ishte alarmues dhe shqetësues. Në raportin e BB-së thuhej saktësisht se ndotja e ajrit vret rreth 760 njerëz çdo vit në Kosovë.
“Komuna e Obiliqit ka rreth 30 për qind më shumë pacientë me sëmundje kronike të frymëmarrjes dhe 30 për qind më shumë raste të tumoreve malinje (kanceri) sesa pjesët tjera të Kosovës si pasojë e ndotjes së mjedisit”, kanë konstatuar mjekët vendas.
Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë, po kështu, se ndotja e ajrit në Kosovë shkakton 852 vdekje të parakohshme, 318 raste të reja të bronkitit kronik, 605 raste të pranuara në spital dhe 11.900 vizita emergjente në çdo vit. E ata që rrezikohen më së shumti nga kjo ndotje janë fëmijët, të cilët ballafaqohen edhe me probleme të shumta shëndetësore.
Sipas të dhënave të Balkan Green Foundation, “njerëzit që jetojnë në zona të kontaminuara (lexo: njerëzit që jetojnë rreth e qark kompleksit elektroenergjetik të Kosovës) humbasin rreth pesë vjet jetë për shkak të ndotjes së ajrit”.
Besim Morina, një mjek pulmolog që ka trajtuar shumë të sëmurë kronikë nga vendbanimet rreth e qark kompleksit elektroenergjetik të Kosovës, kohë më parë, ka thënë për mediat botërore se ata ishin diagnostikuar kryesisht me sëmundje pulmonare obstruktive kronike, të cilat vinin si pasojë e punës së tyre në termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Sipas ambientalistëve, kostoja aktuale e energjisë elektrike në Kosovë është shumë më e lartë kur merren parasysh efektet në shëndetin publik të termocentraleve të vjetruara. Prandaj, njohësit e zhvillimeve energjetike dhe ekspertët, gjithmonë kanë ngritur zërin, kanë alarmuar në sinkron njëri me tjetrin se “kosovarët kurrë nuk e paguajnë lirë koston e energjisë elektrike, as më së liri në rajon”. Përkundrazi, sipas tyre, e paguajnë shumë shtrenjtë koston e rrymës që nuk matet me para. Shëndeti i rrënuar i qindra mijëra kosovarëve rreth e qark teromocentraleve dhe minierave sipërfaqësore dhe sëmundjet kronike të qindra mijëra kosovarëve, të fituara nga ndotja e ambientit dhe degradimi i natyrës për të prodhuar energji elektrike, është çmimi që paguajnë kosovarët e që nuk kompenzohet dot, as nga importi i KEDS-it as nga Qeveria, as nga ZRRE-ja.
Sipas disa statistikave të publikuara nga një medie ndërkombëtare, termocentralet në këtë pjesë të kontinentit gjatë vitit 2022 kanë emetuar 5 herë më shumë dioksid squfuri dhe 1.8 herë më shumë pluhur sesa nivelet e lejuara. Ndërsa, sipas statistikave të Bankëatch Netëork, termocentralet në Kosovë më 2022 emetuan 1.3 herë më shumë dioksid squfuri dhe 4.4 herë grimca pluhuri sesa nivelet e lejuara. Dhe, kjo gjendje, nuk është përmirësuar fare deri më tash.
Ndotja e këtyre ditëve me përmasat dhe pasojat, ka gjasë të tejkalojë shifrat dhe të dhënat e sipërshënuara. Dhe ‘kurgjë kurkujtë’. Ndotja e ajrit në Kosovë vazhdon t’i tejkalojë të gjithë kufinjtë e lejueshëm, ndërsa termocentralet e Kosovës edhe më tutje mbeten ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë. Ndërsa, retë e pluhurit dhe tymit në qiellin mbi Obiliq dhe fshatrat përreth, janë edhe një alarm dhe përkujtim, ndër qindra sish të bërë deri më tash, në adresa të autoriteteve dhe zyrtarëve, se kjo është kostoja që paguajnë kosovarët edhe sot e kësaj dite nga tymtarët e termocentraleve të vjetruara. Mbetet të shihet se a do të përmirësihet ndonjëherë kjo gjendje… /Buletini Ekonomik/