Hajrulla Çeku: Ka edhe zyrtarë të lartë që kanë privatizuar, do të hetohet mënyra e privatizimit

Deputeti i Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ka edhe zyrtarë të lartë që kanë privatizuar, e do të hetohet se si ka shkuar mënyra e privatizimit.

Ai tutje ka përmendur rastin e Ramush Haradinaj, derisa ka thënë Komision Hetimor për privatizimin do të mundohet të shkojë dy hapa tutje në këto hulumtime.

“Nuk do ta përfundojmë këtë punë vetëm me publikimin e informatës se z. Haradinaj paska privatizuar 200 hektarë tokë me njëfarë çmimi të caktuar, kjo nuk mjafton sepse këto informata kanë qenë në publik. Ne do të shkojmë edhe një hap ose dy hapa më tutje për të dokumentuar se si ka mundësi që ka qenë z. Haradinaj e jo z. dikush tjetër në atë moment, dhe e dyta në momentin që është privatizuar çfarë ka ndodh pastaj me ato prona”, ka thënë Çeku.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka shtuar se shumica e ndërmarrjeve që janë shitur nuk e kanë ruajtur destinimin.

“Ta keni parasysh se këto spinofet speciale ose shitjet me kushte ata kanë qenë të obliguar me e ruajt destinimin. Nëse e shihni sot, këtu nuk mund të jem 100 për qind i saktë në konstatim sepse po merremi me këtë pjesë, po një numër i konsiderueshëm i ndërmarrjeve që janë shitur me kushte ose me spinof special nuk e kanë ruajtur destinimin. Sot janë diçka tjetër, ose komplekse banimi ose qendra tregtare, ose janë shitë e stërshitë që edhe kjo nuk ka qenë e drejtë me kontratë”, ka thënë ai. “Nëse në kontratë e ka pas detyrimin me e ruajtë destinimin, me investuar një shumë të caktuar, me e ruajt një numër të caktuar të punëtorëve, dhe nuk i ka respektuar atëherë ne duhet të konstatojmë, por nuk mjafton vetëm konstatimi, sepse këto shkelje kanë ndodhur në vitet e kaluara”.

Ai ka shtuar se do të shohin edhe kush brenda Agjencisë së Privatizimit e ka pas për detyrë ta bëjë këtë konstatim, edhe e dyta, nëse është bërë ky konstatim nga brenda, pastaj dikush e ka pas për detyrë me u ndërmarrë veprime, çoftë gjoba, shkëputje të kontratës dhe “nëse kjo nuk ka ndodhur i bie që përgjegjësia është edhe brenda, jo vetëm te privatizuesi i cili nuk i ka plotësuar detyrimet e kontratës”.