Hoti: Projektligji për rimëkëmbje është përgjegjësi edhe e opozitës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se qeveria që ai drejton është stabile, ndërsa sipas tij, Projektligji për rimëkëmbje ekonomike “është përgjegjësi edhe e opozitës”.

“Mund ta vëreni nga punët që janë bërë deri më tani. Kemi vështirësi dhe kemi pasur dy-tre muajt e fundit për shkak të mungesës së deputetëve në seancat e Kuvendit, jo vetëm të pozitës por edhe të opozitës. Por nga veprimet që kemi ndërmarrë, besoj që evidencë e qartë e stabilitetit edhe e një plani pune që e kemi të dakorduar me krejt partnerët e koalicionit”, tha Hoti për televizionin publik.

“Është një çështje tjetër e kësaj pakos sonë për rimëkëmbje ekonomike. Te kjo e para besoj se kemi treguar shumë rezultate. Kemi themeluar fondin me rishikim të buxhetit për rimëkëmbje ekonomike që nuk lidhet me këtë ligj”, shpjegoi ai.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij me votimin e këtij ligji, kompensohet i gjithë dëmi që i është bërë Kosovës nga Covid-19.

“Është tepër i nevojshëm sepse i jep një infuzion financiar shtesë përveç 365 milionëve, i jep një infuzion shtesë ekonomisë, qytetarëve edhe për një 350 milionë tjerë. Me këtë ligj ne e kompensojmë plotësisht ekonominë për ndikimin negativ që ka ardhur si rezultat i pandemisë”, theksoi Hoti.

Thotë se komentet e opozitës mirëpriten.

“Kemi shpreh gatishmërinë e plotë si koalicion qeverisës që të ulemi bashkë me opozitën dhe të përfshijmë në ligj gjatë dy leximeve të gjitha komentet që mund t’i ketë opozita”, tha ai.

Të premten, për herë të shtatë ka dështuar të votohet Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, ku përfshihet edhe 10 përqindëshi i TRUST-it.