Zëvendësdrejtori menaxhues i Agjencisë së Kosovës për Privatizim, Avni Jashari, gjatë raportimit në Komisionin hetimor parlamentar, ka treguar se si me vendimin e vitit 2014 kanë arritur t’i largojnë 470 uzurpatorë të pronave shoqërore. Jashari ka thënë se uzurpatorët e fundit ishin të komunave veriore.
“Janë larguar 470 uzurpatorë. Të gjithë. Nuk ka uzurpatorë. Sipas informatave që i kemi ne dhe unë e sfidoj secilin person që ka informata që ka ndonjë aset të uzurpuar që mban ende pa kontratë të qirasë, le të vijë në AKP dhe ne e largojmë me polici. Deri në vitin 2014, numri i pronave të uzurpuara të shitura ka qenë 350”, ka thënë Jashari të premten.
Ai ka mohuar se mosnxjerrja e vendimit për “dëbimin” e uzurpatorëve para vitit 2014 është rezultat i presionit politik, shkruan KOHA.
“Nuk e di pse nuk është bërë më herët, nuk kam pasur kurrfarë presioni. Unë i kam përcjellë edhe mbledhjet e komisionit dhe mund të them që personat që nuk bien në presion, nuk u bëhet presion. Unë e kuptoj pyetjen, por nuk mundem ta jap përgjigjen e personave që kanë qenë më herët, por vetë fakti që ne e kemi nxjerrë vendimin me i largu uzurpatorët në nëntor të 2014-s me tre veta në Bord e pa kuorum, lë të kuptohet që ka qenë për korrigjimin e veprimit të agjencisë së mëparshme”, ka thënë Jashari.
Para komisionit ai ka thënë se nuk ka ndodhur që të nënshkruhet ndonjë kontratë para transferimit të mjeteve.
“Në AKM dhe AKP nuk ka ndodhur asnjëherë që kontrata të nënshkruhet para transferimit të mjeteve. Mjetet transferohen së pari në Departamentin e financave, transferohen në BQK. Departamenti i financave nuk ka kontakte të jashtme në aspektin e blerësve apo kreditorëve. Pagesa ndodh së pari, pastaj kontrata. Nuk kam njohuri nëse është vonuar pagesa një vit, e për disa muaj aty nuk e di”, ka shtuar ai.
Sa u përket dokumenteve të djegura, ka thënë se është në dijeni, por që nuk ka ndodhur të mos e gjejnë ndonjë dokument që e kanë kërkuar.
“Ka dokumente që janë kallë, ato kanë qenë ose të dyfishta. Por, duket se ka edhe të tilla origjinale, p.sh. të listave të punëtorëve, por ato i janë raportuar Kuvendit”. Gjatë raportimit në Komisioni hetimor për privatizim, ka thënë se AKP-ja në asnjë rast nuk ka konfirmuar që pronën shoqërore ta shndërrojë në atë private.
Ndërsa, sekretari i Bordit, Arben Limani, duke folur për privatizimin e fabrikës së amortizatorëve, ka thënë se nuk është në dijeni që për të ka pasur dallavere.
“Me sa e di unë me spin-off special është privatizuar nga AKM-ja. Unë nuk kam qenë aty, nuk e di, prandaj rezervona nga ajo përgjigje. Nuk dua ta besoj atë siç e thatë ju, por duhet me i këqyrë procesverbalet dhe dokumentet e tjera të shitjes”, ka thënë Limani.
I pyetur se a ka qenë në dijeni se kompania që ka privatizuar këtë fabrikë ka qenë asokohe në procedurë hetimore për një kontratë, ai tha se nuk ka qenë në dijeni. Ndërsa, ka shtuar se roli i sekretariatit është teknik.
“Detyrat që i kryen njësia e sekretarisë janë tekniko-profesionale. Përgatisim mbledhjet e Bordit dhe gjatë mbledhjes së Bordit bashkë me zyrtarë ligjorë mbajmë procesverbalin. Unë mund të them se Bordi dhe menaxhmenti i privatizimit i kanë të ndara përgjegjësitë e veta”, tha ai.
Komisioni hetimor parlamentar për çështjen e privatizimit do të vazhdojë me intervistime edhe ditëve të ardhshme, ndërsa para anëtarëve do të dalin edh ish-përfaqësues të UNMIK-ut. Deri tani ky komision ka intervistuar ish-drejtues e ish-ministra të cilët kanë qenë të lidhur direkt me procesin e privatizimit. Anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Sejdi Hoxha, para pak ditësh tha se publiku do të befasohet me faktin që kritikuesit më të mëdhenj të këtij procesi kanë qenë të lidhur me të.