Anëtarët e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) realizojnë të hyra ‘astronomike’ të rregullta gjatë tërë vitit nga ky institucion.
Ish-Kryesuesi i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Petrit Gashi, derisa po raportonte në mbledhjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit të Kosovës mbi privatizimin në Kosovë të hënën, ka zbuluar detaje mbi të hyrat marramendëse që realizojnë anëtarët e bordit të AKP-së.
Për një mbledhje, sipas Gashit, një anëtar bordi në kohën e tij ka marrë mbi 3 mijë euro.
“Më shumë se 3 mijë euro për një mbledhje bordi…një mbledhje e bordit vlerësohet 6 ditë pune”, ka thënë Gashi.
Por, sa përfitojnë në të vërtetë anëtarët e Bordit të AKP-së bazuar në deklarimet në Agjencinë Anti-Kourrupsion?
Tani AKP-ja ka në funksion të saj gjithsej 8 anëtarë të Bordit. Buletini Ekonomik ka llogaritur dhe ka hulumtuar të hyrat e tyre mujore dhe ato vjetore, me ç’rast nga deklarimet e tyre të pasurisë pranë Agjencisë kundër Korrupsionit, paga e secilit prej tyre shkon gjithmonë mbi 2 mijë euro.
Bajram Zejnullahu, si kryesues i Bordit, ka pagën mujore prej 2 mijë e 978 eurove, derisa kompenzimi vjetor për të prek shifrën e 35 mijë e 745 eurove.
Skënder Komoni, me pozitën si Drejtor në AKP, po ashtu merr pagë si të ngjashme me kolegun e tij. 39 mijë e 624 euro është kompensimi vjetor për Komonin, kurse paga mujore e tij shkon në 3 mijë e 302 euro.
Anëtarja tjetër e Bordit, Hasime Mazreku Krasniqi, merr gjithsej 35 mijë e 99 euro nga buxheti i AKP-së si pagë vjetore, përderisa në muaj ajo përfiton 2 mijë e 924 euro.
Tutje, Ranko Dokic, po ashtu me pozitën e anëtarit të Bordit të AKP-së, përfiton pagë të ngjashme me të lartëpërmendurit. Paga mujore e tij shkon në 2 mijë e 952 euro, ndërsa ajo vjetore del të jetë 35 mijë e 424 euro.
Edhe Qemajl Behrami, drejtor i Bordit të AKP-së, merr pagën vjetore prej 35 mijë e 99 eurove, derisa paga mujore e tij arrin në 2 mijë e 924 euro.
Ndërkohë, Bekim Selimaj, mban dy pozita në dy intitucione të pavarura të Kosovës. Njëra në AKP si anëtar Bordi, dhe tjetra si oficer Doganor në Doganën e Kosovës. Paga mujore në detyrën e parë zyrtare të tij arrin në 2 mijë e 926 euro, kurse ajo vjetore në 35 mijë e 120 euro. Ndërsa, paga vjetore për pozitën e e oficerit doganor shkon në 9 mijë e 216 euro, dhe ajo mujore në 768 euro.
Avni Ajdini, me pozitën e anëtarit të Bordit të këtij institucioni, merr si të hyra mujore gjithsej 2 mijë e 400 euro, derisa të hyrat vjetore të tij arrijnë shumën e 28 mijë e 800 eurove. Kurse, si kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ai realizon si të hyra edhe 760 euro të tjera në muaj.
Dhe anëtari i fundit i Bordit, Hajzer Salihu, përfiton 27 mijë e 496 euro në vit nga AKP-ja si pagë vjetore, ndërsa në muaj merr 2 mijë e 291 euro. Por, nga familja e Salihut, ai nuk është i vetmi i punësuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Edhe gruaja e tij është e punësuar në këtë institucion në bazë të deklarimit të pasurisë së tij, dhe paga e saj mujore shkon në 586 euro, kurse ajo vjetore në 7 mijë e 32 euro. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/