Kontrata mes “Telekomit” dhe “Advan Tech” po hetohet nga Prokuroria

Posta dhe Telekomi i Kosovës

Prokuroria e Shtetit është duke e hetuar kontratën me të cilën Telekomi i Kosovës i jep 60 për qind të të hyrave kompanisë private “AdvanTech” nga Shqipëria, për shërbime të internetit dhe IPTV-së.

Hetimet kanë filluar bazuar në kallëzimin penal që ka bërë menaxhmenti i kaluar i Telekomit. Ky menaxhment ka ngritur dyshimet për disa pika të kontratës, të cilat i ka konsideruar si të dëmshme për ndërmarrjen. Në mesin e tyre është edhe ndarja e fitimit prej 60 për qind për kompaninë private, ndërsa 40 për qind për Telekomin.

Një tjetër pikë e kontratës thotë se në rast se kompania “Advan Tech” siguron një klient të ri në zona më të largëta që nuk ka shtrirje të rrjetit, Telekomi është i obliguar që të shtrijë rrjetin deri te klienti, e ajo do të merret vetëm me pajisjet. Për këtë klient sërish kompania merr 60 për qind të fitimit.

Reklama e sponzorizuar

Kontrata është nënshkruar në fund të vitit 2019 nga ish-kryeshefi i ndërmarrjes Bedri Istrefi. Me kërkesë të prokurorisë, në fund të shtatorit janë dorëzuar dokumentet e kërkuara.

Në Telekom nuk kanë dhënë detaje lidhur me këtë me arsyetimin e mosinterferimit në proces. Kërkesa për dokumentacione është bërë më 21 shtator, ndërsa dokumentet janë dorëzuar më 23 shtator. Në Telekom thonë se kjo kontratë është duke u shqyrtuar edhe brenda kompanisë.

“Asokohe, është e qartë se kontrata është vlerësuar e dobishme për Telekomin, përderisa është nënshkruar. Ky menaxhment ka interes për të përmirësuar vazhdimisht kushtet e këtij partneriteti. Gjithsesi prokuroria do të thotë fjalën e saj ndërkohë që kompania do të bashkëpunojë gjatë tërë procesit dhe në fund do të respektojë çfarëdo vendimi të gjykatës”, ka thënë zëdhënësi i Telekomit, Fadil Lepaja për KOHËN.

Ai ka konfirmuar se ndarja e të hyrave është 40 për qind për Telekomin dhe 60 për qind për kompaninë. Pas shkarkimit të Bordit të Telekomit dhe emërimin e Bordit të përkohshëm nga ish-Qeveria Kurti, është bërë auditimi i marrëveshjes dhe pas auditimit, kontrata është dërguar për hetim.

Kjo kontratë është lidhur përmes procesit të shprehjes së interesit. Megjithatë sipas auditorit të brendshëm, kjo nuk është zhvilluar në bazë të asnjë ligji që aplikohet aktualisht në Kosovë.

Ndërkohë, Bedri Istrefi ka thënë se kontrata është nuk përbën asnjë shkelje dhe se janë respektuar të gjitha procedurat.