“Çdo transaksion mbi 300 euro vetëm përmes bankës”: Ligji i ri për procedurat e ATK-së vë në vështirësi bizneset në Kosovë

Ligji i ri për Administratën Tatimore dhe Procedurat ka vënë në vështirësi shumë biznese në Kosovë, pas ndryshimeve të bëra sa i përket kryerjes së pagesave. Një ndër ndryshimet më të diskutueshme është obligimi për kryerjen e transaksioneve përmes bankës për shumën mbi 300 euro.

Sipas ligjit të ri, çdo transaksion mbi 300 euro duhet të kryhet vetëm përmes bankës.

Reklama e sponzorizuar

Sipas njohësit të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ky ndryshim po krijon një barrë të rëndë financiare për kompanitë e vogla dhe të mesme, të cilat shpeshherë varen nga pagesat në dorë për të mbajtur aktivitetet e tyre të përditshme.

“Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shumë NVM kanë hasur në vështirësi për të mbledhur pagesat e shitjeve në kohë. Në të kaluarën, pagesat bëheshin në dorë në kohën reale të furnizimit të produkteve, ndërsa tani, çdo transaksion mbi 300 € duhet të kryhet përmes bankës. Ky ndryshim ka çuar në vonesa të shumta në ekzekutimin e pagesave nga klientët, duke zhytur shumë kompani në borxhe dhe duke krijuar një cikël negativ financiar”, ka thënë Gerxhaliu, pas komunikimeve që ka pasur me shumë biznese.

Ligji i ri gjithashtu përmban zgjatjen e afatit të vlerësimit tatimor retroaktiv nga 6 në 10 vite dhe zgjatjen e afatit të ruajtjes së librave nga 6 në 10 vite. Sipas Gërxhaliut, këto ndryshime përfaqësojnë një barrë të shtuar për bizneset, sidomos për NVM-të, të cilat sipas tij, tashmë përballen me 101 barriera në ushtrimin e veprimtarive të tyre.

“Kjo rritje e byrokracisë dhe përgjegjësive administrative vetëm sa i komplikon më tej funksionimin e tyre”, ka shtuar Gërxhaliu. /Buletini Ekonomik/