Kosova ka filluar zbatimin e një pikë të marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Washington më 4 shtator.
Kjo ka të bëjë me rrjetin 5G dhe përdorimin e pajisjeve të teknologjisë nga shitës të sigurt.
“Të dyja palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku tashmë ka pajisje të tilla, të dyja palët angazhohen për heqjen e tyre dhe përpjekje tjera të ndërmjetësimit në kohën e duhur”, thuhet në njërën nga pikat e kësaj marrëveshje, shkruan Telegrafi.
Sipas Qeverisë, Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm për rrjetet e komunikimit.
“Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku mund të ketë pajisje të tilla, institucionet përkatëse të vendit do të angazhohen për heqjen e tyre”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, përcjell Telegrafi, pas takimit të kryeministrit Avdullah Hoti me përfaqësuesit e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.Lexo po ashtu:Në Kosovë nuk do të ketë më përdorim të pajisjeve 5G që sigurohen nga shitës të pabesueshëm
Lidhur me këtë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, ka përgëzuar Kosovën, që siç ka thënë, është siguruar se rrjetet e saj të gjeneratës së pestë të komunikimeve, janë në rrugë të pastër nga ofrues që nuk u besohet dhe në linjë me marrëveshjen Washingtonit.
“Ne e përgëzojmë Kosovën për sigurimin që rrjetet e saj 5G janë në një rrugë të pastër, jo nga shitës të pabesueshëm, në përputhje me Marrëveshjet e Uashingtonit. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku drejt integrimit të sigurt të komunikimit rajonal dhe zgjerimit të ekonomisë dixhitale të Kosovës”, ka thënë Kosnett përmes një shkrimi në Twitter, përcjell Telegrafi.
Në Kosovë dhe Shqipëri teknologjia 5G nuk është ende në dispozicion për përdoruesit e telefonave të mençur dhe as nuk janë kryer procedurat për lëshimin e licencave për përdorimin e radio- frekuencave të nevojshme.Lexo po ashtu:Ambasadori amerikan përshëndet vendimin e Qeverisë së Kosovës rreth pajisjeve 5G
Në memorandumin e nënshkruar më 2 tetor në Tiranë gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverive, Kosova dhe Shqipëria u pajtuan që të bashkëpunojnë në hartimin e politikave dhe programeve të zhvillimit të rrjeteve 5G, në përcaktimin e standardeve për rrjete të sigurta bazuar në praktikat më të mira të Bashkimit Evropian dhe organizatave tjera ndërkombëtare.
Memorandumi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për formimin e një korridori digjital 5G fillimisht parasheh të mbulojë me këto shërbime Rrugën e Kombit, përkatësisht autostradën Ibrahim Rugova.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke komunikuar me shumë vende në botë, për të kundërshtuar bashkëpunimin e tyre me kompaninë kineze Huawei dhe rrjetin e saj 5G.
Washingtoni e ka vendosur këtë kompani në “listën e zezë”, pasi vlerëson se ajo paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe e përdorë teknologjinë e saj për të spiunuar në emër të Qeverisë kineze.
Rrjeti 5G paraqet gjeneratën e fundit të lidhjes së telefonave të mençur me internet dhe ofron shpejtësi më të madhe në shkarkimet e shumëfishta, sesa ekziston aktualisht. Kjo teknologji, filloi të vendoset botërisht në vitin 2019.