ZRRE pas protestës së aktivistëve: Vendimi për tarifat e rrymës do të jetë në përputhje me legjislacionin në fuqi

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka reaguar pas protestës së sotme të disa aktivistëve të cilët po kundërshtojnë paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15%.
ZRRE thotë se është e vetëdijshme për shqetësimet e qytetarëve lidhur me procesin e tanishëm tarifor, të shprehura sot përmes protestës pranë zyreve të ZRRE-së. Gjithashtu, ZRRE shprehet se respekton edhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, si një e drejtë e garantuar nga ligjet e Republikës së Kosovës. Por, kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për të mos penguar ushtrimin e detyrave të ZRRE, konform mandatit të saj.
Kësaj kërkese, ata i bashkangjesin një ‘moto’ se procesi do të jetë transparent dhe se çdo vendim do të merret në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“ZRRE në vazhdimësi angazhohet për një proces të hapur, të drejtë dhe transparent në shqyrtimin e çdo komenti nga qytetarët dhe palët e interesuara, duke siguruar që çdo vendim të merret në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në reagim.