Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, nuk ka shkuar për raportim në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike.
Sot në mbledhjen e thirrur Kuçi do të raportonte lidhur me emërimet e fundit në bordet e përkohshme, gjendjen dhe veprimet e Qeverisë në Ndërmarrjen Trepça ShA, për funksionimin dhe operimin e hidrocentraleve.
Deputeti Endrit Shala, ka thënë se raportimi për këto pika do të shtyhet për një ditë tjetër, pasiqë sipas tij, raportimi i ministrit lidhur me këto pika është i domosdoshëm.
Ai ka thënë se prania e zv/ministrave të tjerë nuk është e pranueshme.
Ndërkaq deputetja Mimoza Kusari ka thënë se nëse ministri Kuçi vazhdon ta neglizhojë komisionin, ata nuk do ta votojnë asnjë projektligj.
“Është hera e dytë me radhë që Komisioni e ka ftuar ministrin dhe ai delegon zëvendësministra ta themi publikisht që asnjë tentim tjetër i ministrave të sjellin zv/ministra nuk e pranojmë. Ne i tregojmë ministrit që asnjë projektligj nuk ia votojmë nëse e vazhdon këtë sjellje. Ne i kërkojmë që ta caktojë një datë se kur mund të vije të raportojë”, ka thënë ajo.