Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar mbështetje nga Guardia di Finanza në fushën e hetimeve të krimeve ekonomike dhe financiare, kontabilitetin financiar, evazionin fiskal, kontrabandimin, financimin e terrorizmit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Bëhet e ditur se sot ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu, i shoqëruar nga drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, priti në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, i cili ishte i shoqëruar nga delegacioni i lartë i Guardia di Finanza.
Ambasadori Orlando theksoi se kjo është vizita e parë e këtij niveli nga Guardia di Finanza që vërteton edhe njëherë rëndësinë e marrëdhënieve bilaterale dhe partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë.
“Në këtë takim, bashkëbiseduesit u dakorduan për nënshkrimin e marrëveshjes ndërshtetërore në fushën e bashkëpunimit policor. Gjithashtu u tha se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje si në ofrimin e ekspertizës dhe trajnimeve që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë”, thuhet në komunikatë.