Vetëm gjatë vitit 2020, përmes prokurimit publik nga buxheti i Kosovës ishin financuar gjithsej 10 mijë e 935 kontrata në vlerë të 499 milionë e 311 mijë e 906 eurove.
Krahasuar me vitin 2019, numri i kontratave të lidhura kishte pësuar një rënie për 36 përqind, kurse i atyre publike kishte një rënie me afër 12 përqind.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj të auditimit për vitin 2020, ka bërë të ditur se burimi kryesor i financimit për tendërët publik ishte buxheti i Kosovës me 86 përqind, më pas të hyrat vetjake me 13 përqind, dhe vetëm 1 përqind e kontartave ishin financuar nga donacionet.
Mirëpo, edhe këto kontrata publike padyshim se ishin përcjellur me parregullësi të ndryshme. Numri total i ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) nga operatorët ekonomik ishte 1 mijë e 184 ankesa, që paraqet një rritje prej 20% në krahasim me vitin paraprak, pra 2019, ku ishin 981 ankesa.
Sipas të dhënave të ZKA-së, rezulton se për çdo të 11-tin tender të publikuar ka pasur një ankesë, përcjell Buletini Ekonomik.
E lidhur me ankesat e parashtruara, OShP-ja kishte vendosur në favor të Operatorëve Ekonomik për 56% të rasteve, pra më shumë se gjysma (605 raste) janë kthyer në rivlerësim dhe në ri-tenderim (63 raste), derisa i kishte aprovuar 339 vendime të Autoriteteve kontraktuese (AK-ve) që përbëjnë 29% të numrit të përgjithshëm të ankesave.
N ë raport thuhet se OShP-ja kishte shqiptuar tri gjoba për tri AK gjatë vitit 2020, vlera e përgjithshme e të cilave arrinte shumën e 20 mijë eurove.
Çështja më e shpeshtë që ishte vërejtur në tenderët publik është hyrja në obligime kontraktuese pa buxhet të mjaftueshëm si dhe zhvillimi i aktivitetit të prokurimit dhe lidhja e kontratave (të ndërtimit) në mungesë të projekteve kryesore.
ZKA-ja shpjegon tutje në raport se gjithsej 158 autoritete kontraktuese (AK) ishin përfshirë në zhvillimin e këtyre aktiviteteve të prokurimit, ndërsa për 16 institucione të pavarura aktivitetet e prokurimit i ka zhvilluar Agjencia Qendrore e Prokurimit. Në vitin 2020, organizatat buxhetore (OB-të) kishin nënshkruar 8,039 kontrata publike që përbënin mbi 73% të numrit total të kontratave publike, pasuar me 2,888 kontrata që i kishin nënshkruar ndërmarrjet publike.
“Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) ka vepruar si autoritet kontraktues në emër të të gjitha OB-ve për 14 lloje të furnizimeve dhe ka zhvilluar aktivitete të prokurimit që kanë rezultuar me nënshkrimin e kontratave publike të centralizuara”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Gjatë vitit 2020, AQP-ja kishte kryer shtatë aktivitete të prokurimit që kishin rezultuar me 26 kontrata (për shkak të ndarjes së tenderëve në llote) vlera e përgjithshme e të cilave ishte 37 milionë e 88 mijë e 196 euro.
103 kontrata të centralizuara për këto 14 lloje të furnizimeve, kanë qenë në zbatim gjatë vitit 2020, por që janë lidhur në vitet paraprake, konstaton Auditori.
Më tutje, Drejtoria për prokurime të veçanta e AQP-së gjatë vitit 2020 kishte zhvilluar 65 aktivitete të prokurimit për OB të ndryshme sipas kërkesës së tyre dhe kishte nënshkruar 76 kontrata vlera e përgjithshme e të cilave arrinte në 1 milionë e 568 mijë e 937 euro, afërsisht e njëjtë me vlerën e kontratave që kishte nënshkruar vitin paraprak. /Buletini Ekonomik/