Naftëtarët po kundërshtojnë udhëzimin administrativ për pastrimin e rezervuarëve të naftës dhe kalibrimi i agregatëve. Ata i janë drejtuar edhe zyrës së kryeministrit.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë njoftim për subjektet ekonomike për kriteret e reja për kushtet teknike që duhet t’i plotësojnë subjektet, të cilat merren me import, deponim, shitje me shumicë/pakicë të karburanteve të naftës.
Pos tjerash Udhëzimi admistrativ obligon naftëtarët për kushtet teknike që obligohen t’i implementojnë kompanitë të cilat merren me shitjen e karburanteve të naftës që para licencimit të tyre janë të obliguara që të bëjnë edhe pastrimin e rezervarëve të naftës në pikat e shitjes dhe në deponitë e tyre çdo tri vite, shkruan lajmi.net.
Naftëtarët nëpërmjet shoqatës po e kundërshtojnë fuqishëm këtë pikë të udhëzimit. Ata i janë drejtuar zyrës së kryeministrit i kanë kërkuar që të hedhet poshtë udhëzimi, të bëhet plotësim ndryshimi i tij.
Fadil Berjani, kryetar i shoqatës së naftëtarëve të Kosovës tha se Udhëzimi 06/2019 për pastrimin e rezervarëve është në kundërshtim me të gjitha dispozitat ligjore në fuqi.
Ai tha se në disa vende të BE-së, rezervarët pastrohen çdo 15 vite.
“Shoqata e naftëtarëve nuk është kundër pastrimit të rezervarëve, por është kundër afatit kohor që parashihet që pastrimi të bëhet çdo 3 vite. Në kuvendin e fundit të shoqatës u kërkua që të respektohen kriteret e BE-së dhe të regjionit ku në BE pastrimi i rezervarëve bëhet çdo 15 vite, konkretisht këtë standard e ka edhe Sllovenia. Askund në botë nuk ka kriter për pastrimin e rezervarëve çdo 3 vite”, tha Berjani.
Në Kosovë janë mbi 4000 rezervar. Berjani thotë se me kriterin që pastrimi të bëhet çdo 3 vite, gjasat janë qe disa kompani të largohen nga tregu ngase për kompanitë e vogla është barrë e madhe.
“Në kohë pandemie ndihmohen në gjithë botën kompanitë, te ne në Kosovë ndodhë e kundërta. Organet relevante, mendoj qe, duhet të merren me këtë shpallje. Ne do ta kundërshtojmë këtë UA. Ju kemi drejtuar zyrës ligjore të Kryeministrit sepse kjo zyrë e ka kundërshtuar në kohën e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj atë udhëzim. Ky udhëzim mund të zbatohet vetëm me standarde të BE-së”, shtoi tutje përfaqësuesi i naftëtarëve.
Naftëtarët kanë kundërshtuar edhe një pikë tjetër të këtij udhëzimi, pasi sipas tyre është marrë e madhe financiare.
“Problem tjetër është edhe kalibrimi i agregatëve (pumpav) pishtoleve ose pik rrjedhëse. Deri tani kjo ka kushtuar -kalibrimi i një pishtole 10 euro, ndërsa tash është 26 euro. Ne takimin qe kem pas me ministrin Vesel Krasniqi na premtoi se do te rregullohen këto probleme po nuk ndodhi deri me tani”, shtoi tutje Berjani.
Një nder kërkesat e naftëtarëve është edhe taksa për kyçje në rrugë.
“Në kërkojmë nga ministria që të rishikohet pika e udhëzimit për pastrimin e rezervarëve, pra të jetë sipas direktivave të BE-së, të bëhet ulja e çmimit për kalibrim, të shikohet problemi i kyçjes në rrugë”, përfundoi përfaqësuesi i naftëtarëve.
Sipas informatave jo zyrtare çmimi për pastrimin e një rezervari pritet të jetë rreth 500 euro.
Lajmi.net ka kërkuar disa sqarime edhe nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë lidhur me çmimet, kundërshtimin e shoqatës së naftëtarëve dhe çështje tjera që lidhen më këtë problematikë, por kjo ministri ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e drejtuara tash e disa ditë.
Me gjithë këtë MTI, para disa javëve ka bërë ftesë publike për palët e interesuara (Operatorët ekonomik për pastrimin e rezervarëve për derivate të lëngëta të naftës).
Sipas këtij njoftimi, do të bëhet pastrimi i rezervuarve horizontal dhe vertikal për karburante të lëngëta të naftës dhe derivateve të naftës, duke përfshirë rezervuarët e naftës dhe derivateve të naftës për shitje me pakicë apo deponim,duhet të bëhet së paku çdo tri vite nga një operator i specializuar dhe i autorizuar për këtë shërbim.
Testimi për rrjedhjë të mundshme i rezervuarve të naftës dhe derivateve të naftës duhet të bëhet së paku çdo tri vite nga një operator i specializuar dhe i autorizuar për këtë shërbim, dhe Testimi për rrjedhje të rezervuarëve bëhet së bashku me pastrimin e rezervuarëve sipas paragrafit.
Për pajisje me autorizim për ofrimin e shërbimeve të pastrimit të rezervuarve të derivateve të lëngëta të naftës dhe të testimit të rrjedhjes së rezervuarëve, operatorët ekonomik duhet të përmbushin kushtet e poshtë shënuara dhe të dorëzojnë dëshmitë dokumentare të parashikuara në këtë nen. Aplikuesi për autorizim duhet të dëshmojë se: I tërë sistemi është teknologji e automatizuar robotike e cila “nuk përfshin futjen e njerëzve në rezervuare”, dhe gjithashtu nuk kërkon përfshirjen e njerëzve në hapësira dhe procese për operimin e pajisjeve ku mund të rrezikohet jeta e tyre gjatë kryerjes së punës së pastrimit të rezervuarëve;
Pajisjet robotike të automatizuara për kryerjen procesit të pastrimit të rezervuarëve duhet të jetë të Certifikuara sipas Standardit ATEX të Bashkimit Evropian, kjo sipas ATEX Directive 2014/34EU, për Pajisjet dhe sistemet mbrojtëse të dizajnuara për përdorim në hapësira me mundësi të atmosferës eksploduese (e cila ka zëvendësuar Directive 94/9/EC), dhe me Directive 1999/92/EC, për Kërkesat minimale për përmirësimin e kërkesave për siguri dhe shëndet të punëtorëve të angazhuar në punë me rrezik për atmosfera të eksplodimit.
Rezultati përfundimtar i procesit të pastrimit është “rezervuari pa gaz dhe mbetje tjera”, kjo sipas standardeve teknike.
Procesi i pastrimit të rezervuarëve përdor vetëm ujin, ujin me presion, apo teknologji ekuivalente të bazuara vetëm në ujë, dhe nuk përdoret asnjë kemikat i cili mund të jetë i dëmshëm për ambientin.
Procesi i testimit për rrjedhje të rezervuarëve dhe kontaminim të ambientit, bëhet me saktësi të lartë dhe në mënyrë të digjitalizuar.
Në fund të procesit të pastrimit dorëzohet një kopje dhe një provë e detajuar e tërë procesit të pastrimit, e cila dokumenton tërë procesin e pastrimit.
Personeli i trajnuar dhe i specializuar për operimin e pajisjeve dhe për kryerjen e punëve në përputhje me ligjin e aplikueshëm për sigurinë dhe shëndetin në punë për pastrimin e rezervuarve horizontal dhe vertikal të derivateve të naftës dhe punë në ambiente të rrezikshme.