Mbi 424 mijë persona tërhoqën gati 200 milionë euro nga Trusti

Fotografi ilustruese

Që nga hyrja në fuqi e Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike, mbi 424 mijë qytetarë kanë tërhequr 10-përqindëshin e kursimeve të tyre pensionale. Ndërsa rreth 220 mijë të tjerë nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi. Për tërheqjen e këtyre mjeteve ka kohë vetëm edhe dy ditë

Gëzim Canolli, që ka tërhequr 10 për qind të kursimeve të tij pensionale nga Trusti, thotë se mjetet i janë gjetur për disa shpenzime të vogla që ka pasur për të kryer. Ato mjete thotë se i kanë mjaftuar, por janë edhe shumë qytetarë që thonë të kundërtën.

“E kam tërhequr 10-përqindëshin prej Trustit, deri diku ka qenë ndihmë e mjaftueshme”, ka thënë Canolli.

Mirëpo Vahide Dushku, e cila gjithashtu ka përfituar nga kursimet e saj pensionale, thotë se ndihma mund të ketë qenë e mjaftueshme për atë si person, porse për qytetarët duhet të ketë edhe ndihma të tjera direkte nga Qeveria në këtë kohë të pandemisë.

Reklama e sponzorizuar

“Edhe pse i kemi tërhequr, mund të ketë qenë një ndihmë e mjaftueshme, por jo edhe aq, sepse popullit duhet me i ndihmu më shumë, me pasë edhe ndihma të tjera përveç Trustit”, ka thënë Dushku.

196 milionë euro janë tërhequr nga Trusti që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar. Për t’i tërhequr 10 për qind të kursimeve pensionale, ashtu siç është paraparë me Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, kanë aplikuar mbi 424 mijë persona nga 644 mijë sa ka qenë numri potencial. Për tërheqje të shumës deri në 10 euro kanë aplikuar mbi 11 mijë persona. Në një përgjigje për KOHËN, nga Trusti kanë treguar numrin e aplikuesve për 9 kategoritë e aplikuesve.

“Për shumën deri në 10 euro kanë aplikuar 11 mijë persona nga mbi 99 mijë sa kanë qenë potencialë, dhe shuma e tërhequr është mbi 61 mijë euro. Nga 11 deri në 50 euro kanë aplikuar mbi 60 mijë persona nga mbi 135 mijë sa ka qenë numri potencial dhe shuma e tërhequr është mbi 1.7 milionë euro. Nga 51 deri në 100 euro kanë aplikuar mbi 55 mijë persona nga mbi 80 mijë, sa ka qenë numri potencial dhe shuma e tërhequr është rreth 4 milionë euro”, thuhet në përgjigjen e Trustit për tri kategoritë e para të aplikuesve.

Numri më i madh i aplikuesve për t’i tërhequr mjetet ka qenë për shumën nga 201 euro deri në 500 euro. Për tërheqjen e 10-përqindëshit të Trustit, ka kohë deri të martën, më 6 prill.

“Për shumën prej 101 deri në 200 euro kanë aplikuar mbi 72 mijë persona nga mbi 88 mijë, sa ka qenë numri potencial dhe shuma e tërhequr është mbi 10 milionë euro. Nga 201 deri në 500 euro kanë aplikuar mbi 100 mijë persona nga mbi 109 mijë, sa ka qenë numri potencial dhe shuma e tërhequr është mbi 32 milionë euro. Nga 501 deri në 1000 euro kanë aplikuar mbi 70 mijë persona nga rreth 73 mijë, sa ka qenë numri potencial dhe shuma e tërhequr është mbi 52 milionë euro”, thuhet tutje në përgjigjen e Trustit.

Gjithashtu nga Trusti kanë bërë të ditur edhe numrin e aplikuesve për tri kategoritë e fundit që kapin shuma më të mëdha. Shuma më e madhe e tërhequr, prej 55 milionë eurove, është bërë prej personave që kanë pasur të kursyera nga 1001 deri në 2000 euro.

“Për shumën prej 1001 deri në 2000 euro kanë aplikuar mbi 41 mijë persona nga mbi 43 mijë, sa ka qenë numri potencial dhe shuma e tërhequr është mbi 55 milionë euro. Nga 2001 deri në 4000 euro kanë aplikuar mbi 10 mijë persona nga mbi 11 mijë, sa ka qenë numri potencial dhe shuma e tërhequr është mbi 28 milionë euro. Ndërsa për shumën mbi 4000 euro kanë aplikuar 2096 persona nga 2293, sa ka qenë numri potencial dhe shuma e tërhequr është mbi 11 milionë euro”, thuhet në të dhënat e regjistruara nga Trusti.

Rimbursimi i mjeteve të atyre që kanë aplikuar është paraparë të nisë nga viti 2023 dhe kompensimi do të bëhet vetëm për personat që kanë pasur më pak se 10 mijë euro kursime, pra ata që kanë tërhequr më pak se 1000 euro.