Kompania “Adriainspekt Kosova” është autorizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për pastrimin e rezervuarëve të derivateve të lëngëta të naftës.
Me autorizimin e saj, secili subjekt ekonomik që aplikon për licencim duhet që t’i bashkëngjisë edhe dëshminë për pastrimin e rezervuarve, raporton KOHA.
Por, shoqata, e cila me merret me qarkullimin e naftës, derivateve të naftës dhe gazrave po kundërshton Udhëzimin Administrativ, i cili parasheh pastrimin e rezervuarëve të naftës çdo tre vjet.
Përveç kundërshtimit, thotë se kanë probleme që të kontaktojnë me kompaninë e autorizuar.
“Askund në botë nuk bëhet çdo tri vite pastrimi i rezervarëve. Shoqata e naftarëve nuk është kundër pastrimit të rezervaruëve, por afatet kohore sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe shteteve në regjion. Kjo kompani nuk është duke u lajmëruar, bizneset po kanë problem, nuk mund ta vazhdojnë licencën. Është një kaos në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë”, ka thënë kryetari i Shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani.
Pastrimi i rezervuarve çdo tre vjet sipas naftëtarëve, është një barrë e madhe financiare dhe se mund të ndikojë edhe në rritje të çmimit të derivateve.
“Unë që i kam 14 pika të karburantit duhet 100 mijë euro për pastrimin e rezervarve. Kjo po të detyron, nuk po e mbron konsumatorin, vetëm po vjelë taksa. Konsumatorin e mbrojmë edhe ne nëse e kemi cilësinë e mirë dhe produkti është kualitativ. Ne jemi kundër kësaj dhe ajo duhet të jetë mbi 10 vite, por do të bëhet inspektimi i rezervaarve dhe pas kësaj mund të marrë masa inspektori, e jo të japim nga 1 mijë euro”, ka thënë Habib Morina, pronar i kompanisë “Patroni”.
Por, nga MTI-ja thonë se pastrimi i rezervarëve ka qëllim ngritjen e cilësisë së derivateve të naftës dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Ndërkohë, kanë thënë se kompania e autorizuar tashmë ka vulosur disa kërkesa të subjekteve ekonomike.
“DRRTN-ja ju njofton se nga kompania e autorizuar tashmë janë vulosur disa kërkesa të subjekteve ekonomike, që shërben si dëshmi se kompania e autorizuar ka filluar me veprime për t’i pajisur me vërtetim për pastrimin e rezervuarëve. Në momentin që pranohen ankesa nga subjektet ekonomike në DRRTN do të ndërmerren masa për trajtimin e tyre konform legjislacionit në fuqi. Edhe pse Ligji në fuqi për Rregullimin e Tregut të Naftës e ka paraparë edhe më herët pastrimin e rezervuarëve, ju informojmë se pastrimi i rezervuarëve po ndodh për herë të parë në Republikën e Kosovës, e gjithë kjo ka për qëllim ngritjen e cilësisë së derivateve të naftës, mbrojtjes së konsumatorëve dhe qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e MTI-së.
“Koha” ka provuar që të kontaktojë me kompaninë në fjalë, por numrat zyrtarë që ndodhen Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve kanë qenë jashtë funksionit.
Në kundërshtim të këtij udhëzimi administrativ, ata i janë drejtuar edhe Zyrës së Kryeministrit. Në Kosovë janë mbi 4000 rezervuarë. Pastrimi i një rezervuari sipas naftëtarëve, është rreth 700 euro.