Në Kosovë u rrit papunësia

Papunësia në Kosovë vazhdon të pasqyrohet me shifra të larta për vite me radhë. Një shkallë mesatare e papunësisë prej 25.7% ishte regjistruar në vitin 2019 në tregun kosovar të punës.

Bazuar në Anketën e Fuqisë Punëtore nga ASK-ja, për vitin 2019, shkalla mesatare e punësimit në Kosovë gjatë vitit paraprak, ishte  30.1%, që në krahasim me vitin 2018 ishte për 1.3 pikë përqindjeje më e lartë.

Ndërkohë, po në këtë vit, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore në Kosovë ishte 40.5 përqind, që krahasuar me vitin 2018 tregon për një rënie të shkallës së pjesëmarrjes në fuqinë punëtore për 0.4 pikë përqindje. Shkalla e ulët e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore (mesatarja në rajon rreth 50 përqind) i atribuohet deri në një masë popullsisë relativisht të re (nxënës, studentë), si dhe kategorisë së punonjësve të dekurajuar për punë, amviseve dhe personave të tjerë të cilët nuk janë aktivë në kërkim të një pune, thonë nga BQK-ja në raportin vjetor të 2019-s.

Reklama e sponzorizuar

E sa i përket bazës gjinore, femrat vazhdojnë të kenë një shkallë më të lartë të papunësisë në tregun kosovar në raport me meshkujt, përcjell Buletini Ekonomik.

Shkalla e punësimit, rezultoi të jetë më e lartë te meshkujt kundrejt femrave, ku 46.2 përqind e meshkujve në moshë pune ishin të punësuar kundrejt 13.9 përqind të femrave. Sipas rezultateve të anketës së ASK-së, shkalla e punësimit te gjinia femërore ka shënuar rritje prej 1.6 pikë përqindje krahasuar me vitin 2018, ndërsa te gjinia mashkullore është shënuar rritje e shkallës së punësimit për 0.9 pikë përqindje krahasuar me vitin 2018.

Sipas grup-moshave, popullsia e moshës mes 35-44 vjeç ka normën më të lartë të punësimit (39.3 përqind), kurse grup-moshat prej 15-24 vjeç kanë normën më të ulët të punësimit (13.1 përqind). Sipas nivelit arsimor, shkalla më e lartë e punësimit rezulton të jetë në mesin e fuqisë punëtore me edukim të lartë, pasuar nga arsimi i mesëm profesional dhe gjimnazi.

Përveç kësaj, shumica e punëtorëve që kishin të përfunduar arsimin e mesëm profesional ishin kryesisht të punësuar në sektorin privat (kompani private, individuale private), përderisa punëtorët që kishin të përfunduar arsimin terciar ishin të punësuar kryesisht në sektorin publik.

Sipas strukturës së ekonomisë vendase, shkalla e punësimit rezulton të jetë më së shumti e koncentruar në sektorin e tregtisë me 17.0 përqind të gjithsej të të punësuarve, pasuar nga sektori i ndërtimtarisë me 12.6 përqind, sektori i prodhimit me 11.9 përqind, sektori i arsimit me 10.0 përqind, etj. Krahasuar me vitin 2018, të dhënat e ASK-së tregojnë se ka rritje të pjesëmarrjes në strukturën e të punësuarve për sektorin e prodhimit, sektorin e ndërtimtarisë, bujqësisë, etj. ndërsa sektori i arsimit ka shënuar rënie.

“Statistikat e tregut të punës në Kosovë tregojnë se shkalla mesatare e papunësisë në vitin 2019 ishte 25.7 përqind dhe krahasuar me vitin 2018, rezulton më e ulët për 3.9 pikë përqindje. Në baza gjinore, tregu i punës në Kosovë vazhdon të karakterizohet me një shkallë më të lartë të papunësisë te femrat. Shkalla e papunësisë te femrat ishte 34.4 përqind (22.6 përqind tek meshkujt), ku grupmosha e femrave të reja (15-24 vjeç) kanë shkallën më të lartë të papunësisë (rreth 60.3 përqind). Edukimi ka përmirësuar perspektivat në tregun e punës në Kosovë. Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë ishte më e larta për personat e pashkolluar (rreth 49.4 përqind), ndërsa më e ulët për personat që kishin të përfunduar arsimin terciar (21.5 përqind)”, përfundon raporti i BQK-së. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/