Shqipëria dhe SHBA angazhohen të rrisin bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, investimeve të ndërsjellta dhe tregtisë, sipas një njoftimi zyrtar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Memorandumi i Bashkëpunimit u firmos për palën shqiptare nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, dhe për palën amerikane Nënsekretari i Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Z. Keith Krach.
Ky Memorandum i Bashkëpunimit Ekonomik është i pari, që firmoset mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas Marrëveshjes Ekonomike të vitit 1992.
Partneriteti shqiptaro-amerikan mbart ende potencial të pashfrytëzuar, në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes dy shteteve.
Për këtë qëllim, miratimi i një Memorandumi të Bashkëpunimit Ekonomik, pritet të ndikojë ndjeshëm në nivelin e flukseve të investimeve të huaja direkte në Shqipëri, t’i mundësojë bizneseve shqiptare akses të shtuar në tregun amerikan, të rrisë eksportet shqiptare, duke përmirësuar ndjeshëm bilancin tregtar të vendit.
Angazhimi i përbashkët i ndërmarrë sot, riforcon angazhimin dhe vullnetin se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një interes të përbashkët për forcimin e lidhjeve tregtare dhe promovimin e pjesëmarrjes aktive të kompanive amerikane në projektet e Republikës së Shqipërisë, me qëllim rritjen e mirëqënies, sigurisë dhe lidhjeve rajonale në Shqipëri.
Memorandumi shërben edhe si një ftesë e të dyja vendeve për nxitjen e veprimtarisë ekonomike në Shqipëri, në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe Udhëzimet e OECD për Kompanitë Shumëkombëshe.
Sektorët me përparësi në kuadër të këtij bashkëpunimin, janë eksplorimi dhe zhvillimi i burimeve energjitike, infrastruktura, energjia, transporti, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, turizmi dhe bujqësia.
Nëpërmjet këtij Memorandumi Bashkëpunimi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës angazhohen të promovojnë partneritete midis bizneseve me përfitim reciprok të kompanive amerikane dhe aktorëve vendas në Shqipëri, duke përfshirë zhvillimin e fuqisë punëtore, fuqizimin ekonomik të grave dhe mundësitë për inovacion.
Një pikë e vecantë në këtë memorandum i kushtohet bashkëpunimit mes dhomave të tregtisë të dy vendeve për të promovuar dhe zhvilluar aktivitete ekonomike të përbashkëta, si shkëmbimi i informacioniit dhe eksperiencave, si dhe organizimin e Forumeve të Biznesit, Panaireve të Tregtisë dhe Investimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave.
Finalizimi i këtij Memorandumi është vijimësi e angazhimit dhe komunikimit mes Qeverisë Shqiptare dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njoftoi Ministria.
***Investimet e Huaja Direkte nga SHBA kanë arritur këtë vit nivelin më të lartë të stokut në 6 vitet e fundit, në 123 Milion EUR në 6 mujorin e parë të vitit 2020.