Një pjesë e produkteve ushqimore, sipas Agjencisë së Statistikave, ka shënuar rritje prej 2.8 për qind në muajin qershor 2023, krahasuar me muajin qershor 2022. Qytetarë dhe njohës të ekonomisë, rritjen e vazhdueshme të çmimeve po e vlerësojnë si të papërballueshme për xhepin e qytetareve dhe se qeveria duhet të marrë masa.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur së në muajin qershor në shumicën e produkteve bazë është shënuar rritje e çmimeve prej 2.8 për qind krahasuar me muajin qershor të vitit të kaluar. Qytetarët shprehen të brengosur për rritjen e vazhdueshme të çmimeve në produktet ushqimore. Ata po vlerësojnë se qeveria duhet të marrë hapa për përmirësimin e kësaj gjendje.
“ Po tana shtrejt, rritje e çmimeve me një pension ka me ja majt. Çmimet janë rrite dhe çdo rritje që po bahet në Kosovë është e papërballueshme për qytetarët, një klasë më të ardhura të ardhura të ulëta e qytetareve nuk mundet me përballu. Me pagat që janë në Kosovë këto rritje nuk janë të përballueshme”, deklaroi një nga qytetarët.
Se çmimet janë të papërballueshme për qytetarët dhe së qeveria duhet të marrë hapa e thotë për Radio Kosovën edhe kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku.
“Dikush nuk mund të ngopet bukë, sepse me 60 ose 70 euro në ndihmë sociale nuk mund t’i dalë mbanë. As dikush që e ka pagën minimale prej 170 euro nuk mund të ia dalë. Standardi na ka rënë për 10 herë dhe askush nuk brengoset. Ne edhe ashtu i kemi çmimet më të larta se në Bashkimin Evropian, e pagat për 10 herë më të ulëta. E qeveria është ajo kryesorja që me interaktivitet duhet të bëjë zgjidhje”, tha Kaçaniku.
Edhe njohës të ekonomisë po vlerësojnë se rritja e fundit është e papërballueshme dhe po e thellon edhe më shumë varfërinë në vend. Ardijan Sahiti, njohës i ekonomisë, i tha Radio Kosovës së njëri ndër faktorët është importi i lartë.
“ Kjo rritja e fundit sigurisht që është e papërballueshme edhe vetëm sa po e thellon këtë lloj mjerimi. Kjo ndodh për shkak së baza jonë prodhuese është shkatërruar. Duke qene së në kemi një deficit të madh tregtar e cila sillet tash për tash 1 me 7. Për këtë arsye një pjese e madhe e inflacionit është e importuar”, deklaroi Sahiti.
Inflacionin i cili ka ndodhur vitin e fundi, njohës të ekonomisë e kanë vlerësuar që është edhe si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës, krizës energjetike dhe pandemisë më të cilat po përballen edhe vendet e tjera evropiane.









