Nesër raporti i KE-së: Ku ka shënuar progres Kosova e ku jo, sipas Institutit EPIK

Komisioni Evropian të martën do të publikojë raportet për vendet e Ballkanit Perëndimor që synim kanë anëtarësimin në BE.

Dhe, në raporte do të vlerësohet gatishmëria e këtyre vendeve për antarësim.

Në raportet e vitit të shkuar, vendet ishin ndarë në tri grupe: në atë mesatarisht të përgatitur ishin futur Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, në pak të përgatitur Shqipëria dhe në stad të hershëm, Kosova e Bosnjë-Hercegovina.

Reklama e sponzorizuar

Instituti EPIK, të hënën përmes një postimi në Facebook, ka treguar punën që institucionet e Kosovës kanë bërë dhe atë që nuk e kanë bërë dhe që pritet të përfshihen në raport.

Sipas kësaj organizate, Kosova ka bërë përparime në politikat doganore, pastaj në shërbimet financiare, lirinë për të ofruar shërbime dhe politikat industriale e të ndërmarrësisë. E kapitujt me më së paku progres, sipas EPIK-ut janë: Drejtësia, liria e siguria; Gjyqësori dhe të drejtat themelore; Shkenca dhe hulumtimi; Arsimi dhe kultura, Mjedisi, Shëndeti dhe mbrojtja e konsumatorëve; Punësimi dhe politikat sociale; Politikat e transportit, Politikat e konkurrencës dhe; politikat ekonomike e monetare.

“Përderisa jemi në pritje të publikimit të nesërm të raportit të Komisionit Evropian për Kosovën një rikujtim se në cilat fusha Kosova ka bërë progres më së shumti, e në cilat më së paku, bazuar në raportin e vitit të kaluar”, ka shkruar Instituti EPIK.