Problemet e telefonisë mobile, kualiteti i dobët i shërbimeve të telefonive mobile, problemet me mbulimin e rrjetit 3G dhe 4G në autostradë dhe problemet me IP që po dëmtojnë me miliona euro biznesin dhe buxhetin e Kosovës, ishin disa nga çështjet e diskutimit në takimin ndërmjet përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me anëtarët e bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
OAK fillimisht theksoi se problem kryesor është ndërprerja e lidhjeve telefonike si pasoja të kalimit nga një antenë në antenën tjetër si dhe kualiteti i dobët i telefonatave dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G në pjesët e autostradave.
Në këtë rast OAK kërkoi që ARKEP të kontribuojë në eliminimin e këtyre problemeve.
Përfaqësuesi i OAK-ut, Enis Pakashtica ngriti si çështje dëmtimin e bizneseve të licencuara nga bizneset të pa licencuara të cilat po vazhdojnë veprimtaritë e tyre në mënyrë të jashtëligjshme.
Anëtarët e bordit të ARKEP thanë se janë të hapur të mirëpresin çdo ankesë dhe çështje që ka lidhje të bëjë me shërbimet e telefonisë dhe postave. Gjithashtu, sa i përket çështjeve të ngritura nga OAK-së ata theksuan që Kosova nuk ka kod të internetit dhe të gjithë operatorët kyçjen e gjejnë tek shtetet e tjera dhe kjo është arsyeja që Kosova nuk ka IP të njohur duke pas parasysh që duhet të jemi anëtarë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. /Telegrafi/