Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në kuadër të lansimit të platformës së punësimit për të rinjtë të quajtur “Super Puna” ka bërë të ditur se përmes kësaj skeme qeveria do të subvencionojë 264 euro në lartësinë e pagës minimale në gjashtë muajt e parë të punësimit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në kuadër të Lansimit të Platformës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë të quajtur “Super Puna” ka thënë se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka hartuar dhe nxitur politika që synojnë nxitjen e punësimit dhe qasje më të lehtë në tregun e punës.
Kreu i Qeverisë ka thënë se përmes kësaj skeme Qeveria do të subvencionojë 264 euro në lartësinë e pagës minimale që ka kaluar në lexim të parë në gjashtë muajt e parë të punësimit.
“Punësim dhe drejtësi është titulli i zotimit dhe programit tonë, Qeveria jonë në vazhdimësi ka hartuar dhe nxitur politika që synojnë nxitjen e punësimit dhe qasje më të lehtë në tregun e punës dhe këtë ta bëjmë për të gjithë pa dallim, kjo ka të bëjë edhe me drejtësi, sepse nevojitet drejtësi për qasje në trajtim e shoqëri”, ka deklaruar Kurti.
Në këtë ceremoni ku ishin të pranishëm edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, shefi i ekzekutivit ka treguar për skemat e punësimit që janë realizuar vitin e kaluar.
“Vitin e kaluar kemi zbatuar skemat për punësim të grupeve të ndryshme shoqërore, si gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që nuk kanë ndonjë anëtar të punësuar”, ka vijuar Kurti.
Ai ka thënë se përmes masës 1.3 janë punësuar afro 5 mijë gra e vajza, përmes masës 1.6 239 persona me aftësi të kufizuara, ndërsa përmes skemës “Qeveria për familjet”- janë bërë gjithsej 770 familje me një anëtar të punësuar.
Sipas Kurtit, lansimi i kësaj platforme është angazhim i kahmotshëm i Ministrisë së Financave dhe konkretizim i Qeverisë së Kosovës që synon ndërtimin e një fuqie punëtore të aftë që do ta rrisë zhvillimin ekonomik të vendit.