Pandemia ‘gjunjëzon’ bizneset në Fushë Kosovë

Prej 1 mijë e 240 bizneseve aktive sa janë në Fushë Kosovë, mbi 50 sosh u mbyllën dhe një pjesë e madhe po kalojnë në një fazë të rëndë të rehabilitimit. Kriza e shkaktuar nga Covid-19 ka prekur sidomos bizneset e vogla.

Marigona Xhigoli

Mbi 50 biznese të mbyllura dhe qindra tjera duke kaluar në një fazë të rëndë të rehabilitimit. Pak a shumë ky është bilanci i deritanishëm i dëmeve për bizneset e Fushë Kosovës, të shkakatuara nga pandemia Covid-19.

Reklama e sponzorizuar

Shumë prej bizneseve tashmë i janë kthyer normalitetit, mirëpo rehabilitimi duket i vështirë, marrë parasysh ndihmën e pakët nga shteti.

“Humbjet kanë qënë të mëdha, por fati që kemi pas pak përkrahje prej shtetit dhe kemi punuar online gjatë kohës që kemi qënë mbyll edhe kemi qarkullu pak”, shprehet Granit Tërnava, bashkëpronar i një kafiterie në Fushë Kosovë.

Ai thotë se gjatë kësaj periudhe, nuk kanë larguar asnjë punëtor nga puna dhe janë munduar që të tregohen sa më korrekt me pagat e punëtorëve.

Gjatë pikut të pandemisë, marketet kanë qenë pothuajse bizneset e vetme që nuk e kanë ndalur punën.

Gentiana Krasniqi, punëtore në një nga marketet e kësaj komune, thotë se ka vërejtur rënie të madhe të fluksit të konsumatorëve.

“Si çdo biznes tjeter edhe ne kemi pasur humbje sepse nuk ka pasur fluks te qytetarëve”, tregon Gentiana. Ajo tregon së këto humbje janë zvogëluar me fillimin e qarkullimit të qytetarëve dhe largimin e karantinimit.

Mendim ndryshe ka mekaniku Valentin Xhigoli. Sipas tij, pandemia nuk ka ndikuar në biznesin të cilin e drejton ai.

“Nuk ka ndiku pandemia kumedit sa në humbje te mdhaja”, tregon ai. “Nuk kemi punu qato dit po nuk është që s’kemi pas punë pas pandemisë”, përfundon Xhigoli.

Dhjetëra biznese paraqitën kërkesa për mbyllje

Drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Tatim në Pronë në Komunën e Fushë Kosovës, Ekrem Berjani i pyetur mbi bizneset të cilat janë dëmtuar, shprehet se 56 biznese kanë paraqitur kërkesë për mbyllje gjatë kohës së pandemisë.

“Numri i bizneseve aktive në komunën e Fushë Kosovës është 1240. Sipas madhësisë dominojnë mikrobizneset apo bizneset individuale, familjare me diku rreth 90%. Numri i bizneseve të reja për këtë periudhë gjashtë mujore është 120 biznese të reja të regjsitruara përderisa biznese që kanë paraqit kërkesë për mbyllje janë 56 biznese”, ka thënë Berjani.

Sipas tij, komuna ka arritur t’i ndihmojë të gjithë ata që kanë kërkuar ndihmë. Madje, për familjet shumë të rënduara ekonomikisht, shefi i zhvillimit ekonomik në Fushë Kosovë, thotë se i kanë ndihmuar nga dy herë.

“Është bërë një punë e mirë në mbështetjen e familjeve më situatë të rënduar ekonomike. Gjatë kësaj periudhe kemi pas mbi 2400 kërkesa që të mbështeten familjet e tilla komuna ka arrit që ti mbështes të gjitha dhe te familjet të cilat kanë qenë të rënduara ka arrit edhe për herë të dytë që ti mbështët dhe si numër total është dikun rreth 3500 familje janë mbështët nga komuna e Fushë Kosovës”.

Por, kështu nuk mendojnë disa prej qytetarëve të intervistuar nga Buletini Ekonomik. Sadulla Rexhepi tregon se gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur probleme ekonomike pasi që pensionin e ka të mirë dhe e ka marrë me rregull.

Ndryshe nga Rexhepi, qytetari Beqir Dedinca ankohet se askush nuk është kujdesur për të gjatë kësaj periudhe. Sipas tij, problemet me financat kanë qenë prezente dhe askujt nuk i ka interesuar për të si individ.

Bizneset do të përfitojnë nga 300 deri në 1900 euro

Për t’ju dalë në ndihmë bizneseve, në komunë thonë se tashmë është marrë vendimi që të ndahen si ndihmë 308 mijë e 686 euro.

Nga kjo ndihmë do të përfitojnë rreth 600 biznese, kryesisht biznese individuale-mikrobiznese dhe biznese të vogla që zhvillojnë veprimtarinë në këtë komunë.

Sipas Ekrem Berjanit, gjithsej me këto të holla do të ndihmohen 600 biznese. Bizneset të cilat do të përfitojnë janë kryesisht biznese që zhvillojnë aktivitete zejtare, rrobaqepës, frizer, sallone ondulimi etj.

“Bizneset që do të ndihmohen janë aktivitetet zejtare, shërbyese: rrobaqepës, frizer, sallon ondulimi, qebaptore, kafiteri, restorante, auto taxi, autoshkolla, cerdhe dhe shumë biznese të tjera. Bizneset individuale do të përfitojnë prej 300-500 euro, mikro-bizneset dhe bizneset e vogla prej 500-1900 euro”, thotë ai. /Buletini Ekonomik/