Pandemia ia ka dhënë një goditje mjaft të rëndë ekonomisë në Shqipëri, duke ia hequr shtyllën kryesore mbi të cilën mbahej – turizmin. Thuajse të gjitha institucionet ndërkombëtare kanë paralajmëruar vendet si Shqipëria, të cilat kanë një varësi të lartë nga turizmi për të marrë masa, pasi pandemia do të shkaktojë një dëm mjaft të madh ekonomik. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) jo rastësisht e vlerësoi Shqipërinë si vendin me impaktin më të madh të krizës, ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, me rënien ekonomike në 12% këtë vit. Turizmi mban indirekt thuajse 1/4 e ekonomisë shqiptare dhe impakti i pandemisë, sidomos i masave anti-Covid, duket se ua ka dhënë një goditje të rëndë termave të rritjes ekonomike në këtë vend.
Instituti Shqiptar i Statistikave së fundmi ka bërë publike një sërë shifrash të cilat pasqyrojnë një tablo deri diku të qartë të bilancit të sektorit të turizmit për muajt e verës në Shqipëri. Ajo që bie në sy tjetër, nga të dhënat e publikuara nga INSTAT, është se numri i shtetasve nga Kosova që kanë hyrë në Shqipëri gjatë gushtit është më shumë se i përgjysmuar, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rënie drastike vjen pavarësisht faktit se mes dy shteteve nuk ka pasur barriera fizike si pasojë e pandemisë.
Sipas Departamentit për Kufirin dhe Emigracionin në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në Shqipëri, numri i hyrjeve të shtetasve të huaj (kosovarë) përmes pikëkalimit kufitar Morinë-Vërmicë për muajin gusht 2020 është 349.227 persona me 100.010 automjete, ose 55.21% më e ulët se gushti i vitit 2019. Në gusht të vitit kaluar kanë hyrë në Shqipëri nga pikëkalimi kufitar i Morinës 781.227 persona. Thuajse e njëjta përqindje rezulton të jetë edhe për periudhën 7-mujore (janar-gusht). Në këtë periudhë kanë hyrë në Shqipëri nga Kosova 853.525 vizitorë, ose 53.85% më pak se e njëjta periudhë e vitit kaluar, ndërkohë që në janar-gusht të vitit 2019 Shqipërinë e kanë vizituar 1.838.772 vizitorë nga Kosova.
Ndërkohë që hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar në përgjithësi, gjatë muajit gusht 2020, raportohen në 846.973 persona. Krahasuar me gushtin e 2019-s, kjo shifër rezulton në rënie 62.5%. Në gusht të 2020-s, ndërkohë, hyrjet e shtetasve të huaj në territorin shqiptar janë 575.559 persona. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kjo shifër fiksohej në 1.55 milionë, pra thuajse 3 herë më e lartë. Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri në 8-mujorin 2020 është 1.745.169, duke rënë me 64.2 %, nga rreth 3.5 mln në gushtin e 2019-s.
Një javë më parë Ministria e Turizmit e Shqipërisë organizoi në Prishtinë evenimentin “Pusho Shqip”, me pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrave të Kosovës, ministrin e Industrisë dhe Tregtisë së Kosovës, z.Vesel Krasniqi, si dhe agjencitë turistike të të dyja vendeve. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, z. Blendi Klosi, ka vlerësuar lart kontributin e kosovarëve që kanë dhënë për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.