Kompania e pagesave dixhitale të SHBA-së, PayPal Holdings njoftoi të mërkurën se do t’u ofrojë klientëve shërbimin e blerjes, shitjes dhe mbajtjes së Bitcoin dhe parave të tjera virtuale që ata gjithashtu do të jenë në gjendje t’i përdorin për të paguar në dyqane.
Mbajtësit e llogarive amerikane do të jenë në gjendje të blejnë, shesin dhe mbajnë kriptovaluta në portofolet e tyre PayPal që në javët e ardhshme dhe në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, kompania synon t’i ofrojë këto shërbime në platformën e pagesave mobile Venmo, raporton reuters.
PayPal tashmë ka marrë një licencë fillestare, të kushtëzuar nga Departamenti i Shërbimeve Financiare të Shtetit të New Yorkut, dhe në fazën fillestare do të lejojë vetëm blerjen e bitcoin, ethereum, bitcoin cash dhe litecoin, thuhej në deklaratë. Shërbimi do të ofrohet në bashkëpunim me Paxos Trust, transmeton Telegrafi.
Nga fillimi i vitit 2021, përdoruesit e PayPal gjithashtu do të jenë në gjendje të paguajnë me kriptovaluta në 26 milionë tregtarë në rrjetin PayPal, njoftoi kompania amerikane.
Pagesat në kriptovaluta në Paypal do të shlyhen në monedha të vendosura, të tilla si dollarë, që do të thotë se tregtarët nuk do të marrin pagesa në para virtuale, theksoi kompania.
Vlera e kriptovalutave lëkundet fort, duke i bërë ato tërheqëse për spekulatorët, por shumë më pak për tregtarët dhe blerësit. Transaksionet aktualisht janë më të ngadalta dhe më të shtrenjta sesa në sistemet e zakonshme të pagesave.