Portali qeveritar Open Data – A mjaftojnë të dhënat e paraqitura?

Mungesa e të dhënave të nevojshme që ofrohen nga organizatat qeveritare po u vështirëson punën e trajtimit të temave. Kështu thonë hulumtuesit në vend, andaj sipas tyre Qeveria e Kosovës duhet të jetë më përgjegjëse në ofrimin e tyre.

Sipas tyre, ofrimi i të dhënave online do t’ua lehtësonte punën dhe kohën e tyre, po ashtu do ta rris llogaridhënien e institucioneve.

Hulumtuesi i pavarur, Jeton Zogiani, thotë se vazhdimisht ka vështirësi në gjetjen e informatave, sidomos të institucioneve përkatëse, gjatë punës së tij.

Reklama e sponzorizuar

“Puna ime kërkimore shpesh është e lidhur që të sigurohen të dhënat, sidomos të institicioneve. Gjatë punës, më është dashur të dërgoj e-mail në institucionet përkatëse, por që ka pasur shumë vonesë në kthimin e përgjigjeve”, tha Zogiani për Telegrafin.

Ai shton se, shpesh herë e viziton portalin qeveritar Open Data që të siguron ndonjë të dhënë, por që sipas tij, ky katalog i të dhënave është shumë i varfër në ofrimin e tyre.

“Unë shpesh e kam vizituar portalin Open Data, por nuk jam aspak i kënaqur më të dhënat që ofrohen aty, ku përveç që janë të mangëta, aty ka një kohë të gjatë që nuk janë përditësuar ato të dhëna”, shton ai.

Sipas Zogianit, Qeveria e Kosovës duhet të jetë më përgjegjëse në ofrimin e të dhënave, pasi kjo sipas tij, do t’ua lehtësonte punën te dyja palëve.

“Në rastin më të mirë, Qeveria e Kosovës duhet të ofrojë më shumë të dhëna për publikun, pasi që kjo do t’ua lehtësonte punën të dyja palëve, si qytetarëve që kërkojnë të dhëna, si vetë institucioneve që mos të ngarkohen shumë më kërkesa”, përfundon Zogiani.

Open Data është katalogu i të dhënave në një format të hapur. Ky portal promovohet nga Qeveria e Kosovës dhe menaxhohet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit.

Në kuadër të këtij portali, aktualisht janë të inkuadruara 26 organizata qeveritare, por të cilat vetëm 14 prej tyre i kanë të publikuara të dhënat e tyre.

Aktualisht, në portal janë të publikuara 205 sete të të dhënave.

Nga një vëzhgim në Open Data, ky portal ofron të dhëna për sektorin publik, arsimin, shëndetësinë, ekonominë, bujqësinë, drejtësinë, sigurinë, prokurimin, ambientin, transportin dhe politikën.

Po ashtu, kujtojmë se Kosova ka Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, i cili garanton të drejtën e secilit person, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje në dokumente publike, të prodhuara, pranuara, mbajtura apo kontrolluara nga institucionet publike, si dhe të drejtën për ripërdorimin e dokumenteve të sektorit publik.

Në kudër të fushëveprimit, Ligji zbatohet për të gjitha dokumentet publike që prodhohen, pranohen, mbahen, apo kontrollohen nga institucionet publike, përveç në rastet kur kufizohet ndryshe me legjislacionin në fuqi.

Ky Ligj nuk cenon të drejtën për qasje në dokumente publike që mbahen nga institucionet publike, e të cilat mund të rrjedhin nga instrumentet ligjore ndërkombëtare apo aktet e institucioneve të cilat i zbatojnë ato.

Pra, këto institucione detyrohen të publikojnë, në mënyrë proaktive, çdo dokument publik, të prodhuar, të pranuar, të mbajtur apo të kontrolluar nga to, menjëherë pasi dokumentet e tilla të jenë bërë të gatshme për publikim.