Rizvanolli e Shala përplasen për Trepçën

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, janë përplasur dje në seancën e sotme të Kuvendit, për situatën në ndërmarrjen “Trepça”.

Deputeti Shala e ka pyetur ministren Rizvanolli për gjendjen në “Trepçë”. Duke ju përgjigjur ministrja Rizvanolli ka thënë se ‘Trepça’ është duke prodhuar me një kapacitet në rritje krahasuar me muajt e kaluar.

Ai ka thënë se Bordi dhe menaxhmenti i ri kanë përpiluar planin për uljen e shpenzimeve, që përfshin edhe largimin nga lista e pagave të punëtorëve që s’janë paraqitur në punë me muaj e vite.

Reklama e sponzorizuar

“Janë duke u bërë përpjekje që të rritet prodhimi në ndërmarrje, duke përfshirë edhe rikthimin e punëtorëve që po risistemohen në njësinë e prodhimit. Shpenzimet mujore të ndërmarrjes arrijnë 1.5 milionë euro, ku 1 milion janë shpenzime për paga. Bordi dhe menaxhmenti i ri ka përpiluar një plan për muajt në vijim i cili në njërën anë synon uljen e shpenzimeve. Një mënyrë që kjo po bëhet është edhe duke larguar nga listat e pagave punëtorë të cilët është kuptuar që s’kanë qenë në punë me muaj e vite por që janë paguar nga ‘Trepça’. Mirëpo, edhe duke marrë masa disiplinore për shkelje të detyrave, duke përfshirë këtu edhe raste për dyshime në manipulime ne tender dhe keqpërdorime të detyrës”, ka deklaruar Rizvanolli.

Kurse, deputeti Shala u ankua se ministrja nuk iu përgjigj në të gjitha pyetjet që ia parashtroi, duke thënë se ai i ka lënë 15 milionë euro “cash” në kontot e ‘Trepçës’.

Rizvanolli iu kundërpërgjigj, duke thënë se dhënë sqarime për këtë çështje.

“Sa i përket 15 milionëve që i keni lënë në konto po besoj që këto kanë qenë nga shitja e mbetjeve, diçka për të cilën ende flitet në Trepçë dhe jo vetëm për çmimin e lirë me të cilin janë shitur dhe për të cilin besohet dhe të gjithë thonë që ka pas keqpërdorime jashtëzakonisht të mëdha. Nëse po i referoheni 15 milionëve që I keni lënë nga kjo shitje, atëherë kjo nuk është diçka që ne e synojmë”, ka thënë ajo.

Por, Shala ka thënë se nuk e ka fjalën për mjetet nga shitja, duke i sqaruar se këto mjete kanë mbetur në AKP.

“Jo, Ministre e ki gabim. Mjetet që i kam lënë nga mbetjet kanë mbetur në AKP dhe ju i menaxhoni dhe i dini saktë, është e pavërtetë. Unë i kam lënë mjetet nga prodhimi, nga investimet kapitale. Asnjë makinë prodhuese nga ardhja e juaj nuk e keni pru. Kam lënë 6 milionë euro makina të reja në treg, kam lënë dyfishimin e pagave, unë kam lënë eksportet më të mëdha që ka pas ndonjëherë. Ty po të dhimben mbetjet e ish-Jugosllavisë, por ti ke mbet në atë konturë”, ka theksuar Shala.