Fillimi i procesit të likuidimit të “Insig” nxjerrë të dhëna shqetësuese për numrin e qytetarëve që u dëmtuan financiarisht nga falimentimi i kësaj kompanie. Në total 7.4 milionë euro janë detyrimet e “Insig” ndaj policëmbajtësve dhe të aksidentuarve në Kosovë.
Agon Sinanaj
Kompania e sigurimit “Insig” u keqmenaxhua për vite me radhë duke lënë prapa vetes një mal me borxhe. Në total 7.4 milionë euro janë detyrimet e “Insig”, të cilës iu vu dryni vitin e kaluar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
Kompania shkoi në falimentim për shkak se e njëjta ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë paguese – Solvencës.
“Insig” ishte futur menjëherë në procedurë të likuidimit. Likuidimi si proces parashihet me Ligjin nr. 05/L-045 për Sigurimet dhe është veprimi i fundit që e ndërmerr BQK për mbylljen e një subjekti në treg. Para likuidimit, BQK e merr nën administrim kompaninë që ka probleme, por nëse gjendja nuk arrin të sanohet, atëherë kompania shkon në likuidim dhe mbyllje totale. Kjo ka ndodhur edhe me kompaninë e sigurimeve INSIG.
Fillimi i procesit të likuidimit të “Insig” nxjerrë të dhëna shqetësuese për numrin e qytetarëve që u dëmtuan financiarisht.
Në momentin e falimentimit, rreth 36 mijë qytetarë kishin polica aktive në “Insig”, me një vlerë monetare prej 1.5 milionë euro. Ndërsa numri i dëmeve të patrajtuara që janë kryesisht nëpër gjykata është 2 mijë e 585 sosh me një vlerë monetare prej 6.6 milionë euro.
Komisioni që do ta likuidojë kompaninë në një analizë që ka bërë rreth aftësisë së kompanisë për t’ju përgjigjur të gjitha kërkesave të palëve, ka gjetur se “Insig” nuk ka mjete likuide të mjaftueshme për pagesë. Nga analiza ka rezultuar se koeficienti i pagesës është në masën 81.14 për qind. Kjo do të thotë që policëmbajtësit dhe të aksidentuarit, do të kompensohen gati për 20 për qind më pak.
Likuidatori i “Insig”, Nezir Lokaj, thotë se detyrimet që dalin nga policat e sigurimit janë bartur në Byronë Kosovare të Sigurimeve, e cila menaxhon me fondin e kompensimit. Deri më tani nga procesi i likuidimit janë paguar rreth 60 për qind të kërkesave të palëve.
“Numri dëmeve në fillim të procesit ka qenë 2,585 praktika me vlerë 6,029,743.16 euro. Deri tani janë paguar 1,507 praktika me vlerë 3,574,782.56 euro. Mbeten në proces për pagesë 1,078 praktika me vlerë 2,454,961.10 euro”, thotë Lokaj.
Lokaj konfirmon se kompania në momentin e falimentimit nuk kishte mjete të mjaftushme likuide për t’ju përgjigjur të gjitha kërkesave.
Ndërkaq, pasi të jetë bërë shitja e pasurisë së siguruesit, likuidatori i paraqet një raport përmbledhës BQK-së, i cili duhet të përfshijë bilancin e gjendjes, pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve, si dhe burimet e të ardhurave që janë përdorur gjatë procesit të likuidimit.
“Raporti gjithashtu duhet të përmbaj të dhëna për kërkesat e paguara dhe kërkesat e papaguara nëse ekzistojnë. Raporti nga ky paragraf duhet të mbahet në dosjen e siguruesit të likuiduar në BQK. Pas miratimit nga BQK-ja të raportit sipas paragrafit 1 të këtij neni, BQK-ja dhe likuidatori lirohen nga çfarëdo përgjegjësie tjetër në lidhje me likuidimin e siguruesit”, ka shpjeguar Lokaj procedurën e likuidimit.
Ajo që nuk dihet ende është se a do të përgjigjet aksionari ndaj kërkesave të palëve. Sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), “Insig” është në pronësi të “Eurosig” nga Shqipëria, me pronar Kadri Morinaj.
“Eurosig” në vitin 2016 i kishte blerë 100 për qind të aksionëve të “Insig”, e cila ishte po ashtu e pranishme në Kosovë derisa iu revokua licenca.
“Gjatë vitit 2016, kompania e sigurimeve “Insig“ me seli në Tiranë ka shitur 100 për qind të aksioneve të zotëruara nga shteti, duke ndryshuar pronësinë e aksioneve të cilat tani zotërohen ne masën 100 për qind nga shoqëria e sigurimeve “Eurosig “ sh.a me seli në Tiranë, me pronar Kadri Morinaj”, thuhet në ueb faqen zyrtare të “Eurosig”. /Buletini Ekonomik/