Rregullatori mohon se do të shtrenjtohet rryma

Energjia elektrike

Rregullatori për Energji ka mohuar të martën raportimet se çmimi i energjisë elektrike është ngritur. Sipas një njoftimi nga ZRRE-ja, çmimet s’kanë ndryshuar për konsumatorët shtëpiakë që nga viti 2014, ndërsa për ata komercialë në vitin 2016 ka pasur zbritje deri në 8 dhe për 5 për qind në vitin 2018.

Madje, ZRRE thotë se në vendimin e fundit të Bordit, të marrë më 17 prill 2020, është vendosur që tarifat të mbesin në fuqi si në strukturën tarifore.

“Përderisa tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të Transmetimit dhe rrjetit të Shpërndarjes ndryshojnë nga ato të viteve të kaluara, në përputhje me të Hyrat Maksimale të Lejuara (HML). Por këto ndryshime nuk kanë pasur asnjë ndikim në tarifat përfundimtare të konsumatorëve të rregulluar për periudhën rregullative 1 prill 2020 – 31 mars 2021”, thuhet në reagimin e ZRRE-së.

Reklama e sponzorizuar