Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka treguar sot se janë dyfishuar subvencionet në sektorin e bujqësisë, me ç’rast për secilin hektarë të mbjellë shuma do të kaloj nga 1000 euro në 2000 euro.
Përmes një postimi në facebook ai ka thënë se edhe për vreshtari do të ketë rritje duke treguar se nga 4 centë për litër të prodhuar të verës tani e tutje do të ndahen 8 centë.
“Nga 1000 euro në 2000 euro subvencionin për hektar të mbjellë, ndërsa nga 4 në 8 centë për litër të verës” ka shkruar Hoti. Ai ka shtuar se Qeveria do të mbeshtesë sektorin e bujqësisë dhe sektoret e tjera me qellim të normalizimit të ekonomisë së vendit.
Sipas tij 60 milionë euro janë aktive në funksion të rimëkëmbjes ekonomike, më konkretisht për subvencionim të bizneseve, të cilat do të shpërndahen deri në fund të vitit.
Ky vendim është marrë sot gjatë takimit mes ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, me drejtuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Verërave në Kosovë “Enologjia”, ku u diskutua për gjendjen në këtë sektor, si dhe rolin mbështetës të institucioneve, kryesisht përballë situatës së krijuar nga pandemia COVID-19. /Blendrita Avdiu/
https://www.facebook.com/avdullah.hoti/posts/3698166293578031