Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, në një intervistë për Buletinin Ekonomik ka deklaruar se si sindikatë nuk janë fare të kënaqur me mënyrën se si Ministria e Bujqësisë po menaxhon me subvencionet për bujqësi.
Sipas tij, në Kosovë subvencionet e bujqve po keqpërdoren në forma të ndryshme, por kryesorja sipas Tahirit është fakti se në vend ka edhe fermerë të pandërgjegjshëm të cilët kanë prona të mëdha bujqësore por që nuk i punojnë, mirëpo përsëri kërkojnë përfitim të subvencioneve nga ministria përkatëse.
“Keqpërdorimi nënkupton atë se ka korrrupsion, vjedhje të parasë për subvencioneve në forma të ndryshme, mirëpo më kryesorja është se kemi edhe fermer të pandërgjegjshëm të cilët kanë prona të medha të cilët nuk i mbjelllin sepse ata nuk varen prej bujqësisë por i kanë privatizuar edhe disa toka që kanë mbetur dhe si punon askush, pra shkojnë i marrin dhe lidhin kontrata dhe i paraqesin si toka të mbjellura”, u shpreh ai.
Ai hedh dyshime mbi faktin se pronarët e lartëcekur kanë lidhje të ngushta me zyrtarët e ministrisë, përkatësisht me udhëheqësit e AZHB-së, të cilët sipas tij janë njerëz të korruptuar dhe “paratë i ndajnë përgjysmë me ta”.
“I kanë lidhjet me zyrtarët e ministrisë së bujqësisë, kryesisht me udhëheqësit e AZHB-së të cilët janë njerëz të korruptuar dhe paratë i ndajnë përgjysmë më ta dhe në këtë mënyrë ka keqpërdorim të një sasie të madhë të buxhetit për subvencione”, thotë Tahiri.
Tahiri përmendi edhe shumë ankesa nga bujqit që kanë hasur probleme të shumta.
Ai gjithashtu thotë se diku 40 deri në 50 për qind e parave për subvencione keqpërdorën në këtë formë, dmth nuk mbjellen sipërfaqet ani pse personi përfiton nga subvencionet.
“Në bazë të disa informacioneve që kemi prej 40-50% e parave për subvencione shkojmë në formë të tillë duke i keqpërdorur, dmth nuk mbjellin sipërfaqe dhe marrin subvencione”, tha Tahiri për Buletinin Ekonimik.
Krahas gjithë kësaj, ai shtoi se favorizime në bazë të komunave nuk bëhen mirëpo favorizimet më të mëdha ndodhën brenda partive politike. /Buletini Ekonomik/