Tregtia botërore në mallra pritet të bjerë me 9.2% në vitin 2020, ndjekur nga një rritje me 7.2% në vitin e ardhshëm, sipas Organizatës Botërore të Tregtisë.
Në muajin Prill, Organizata kishte parashikuar një rënie në volum mes 13-32% për vitin 2020, ndërkohë që pandemia ndërpreu aktivitetin ekonomik dhe jetën në të gjithë botën. Gjatë një konference, ekonomistët e Organizatës shpjeguan se tregtia botërore ka treguar shenja të rimëkëmbjes nga tkurrja e madhe e Covid-19, ndërkohë që performanca e fortë e Qershorit dhe Korrikut, kanë sjellë optimizëm.
Megjithatë, projeksionet për vitin e ardhshëm janë më pesimiste se rritja prej 21.3% që pritej më parë, duke e lënë tregtinë në mallra shumë poshtë nivelit të para pandemisë. Organizata paralajmëroi se rimëkëmbja mund të ndërprehet nga efektet e vazhdueshme të pandemisë. “Rritja e mëtejshme e rasteve me Covid-19 që do kërkojë masa të reja të karantinës, mund të ulë PBB me 2-3%”, tha zv/drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë, Yi Xiaozhun. Ai shtoi se ndikimi tregtar nga kriza ka qenë i ndryshëm në shumë rajone, me rënie relativisht modeste në Azi dhe tkurrje të mëdha në Europë dhe Amerikë të Veriut.