Papunësia në Kosovë gjatë vitit të kaluar ishte 25.7 për qind, e një trend i tillë po vazhdon edhe gjatë këtij viti. Të rinjtë thonë se pavarësisht shkollimit mundësitë për punësim në qytetin e Pejës janë të vogla.
Valdrin Daci është njeri prej 13 mijë personave të papunë në Komunën e Pejës. Ai thotë se pavarësisht shkollimit, për të gjetur një vend pune në këtë qytet është pothuajse e pamundur.
“Në pamundësi për të gjetur një vend pune në territorin e Komunës së Pejës, të rinjtë në përgjithësi që kanë kualifikime të ndryshme detyrohen t’iu drejtohen subjekteve të ndryshme për ndonjë vend të punës e që dëshmon politizim të tyre ose detyrohen të largohen nga qyteti minimumi deri në Prishtinë apo edhe jashtë vendit”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Valdrin Daci.
Në anën tjetër, Vlora Latifi nga OJQ “Syri i Vizonit” ka thënë se si organizatë po mundohen që përmes projektit të përgatisin profesionalisht të gjithë ata persona që janë punëkërkues.
“Programin që ne jemi duke zhvilluar ka të bëjë me shkathtësitë jetësore dhe punsueshmërinë. Ideja është që të përgatiten profesionalisht, sidomos grupet e marxhinalizuara. Trajnimi që ne do të ofrojmë i ka 16 sesione të cilat i përgatisim si punëkërkues”, deklaroi Vlora Latifi.
Bajram Demaj udhëheqës i institucionit të Zyrës për Punësim në Pejë përmes telefonit ka thënë se deri më tani zyrtarisht numërohen 13 mijë persona të papunë, që janë paraqitur dhe regjistruar në këtë institucion./RTV Dukagjini/