Obligimet e papaguara, mangësi në ekzekutim të buxhetit, fillimi i projekteve e pa fonde të mjaftueshme janë vërejtjet që Zyra Kombëtare e Auditimit ka adresuar për institucionet e vendit.
Gjatë prezantimit të raportit vjetor të auditimit para Komisionit për mbikëqyrjen e financave, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka thënë se këto rrezikojnë stabilitetin financiar të vendit.
“Vlera e obligimeve të papaguara që Qeveria ua ka individëve dhe bizneseve është 310 milionë euro dhe ka pasur një rritje prej 51 milionë eurove, prej të cilave vetëm 31 mijë euro kanë qenë nga komunat dhe nëse e krahasojmë me vitin 2018, kemi pasur një rritje prej 39 për qind”, tha Osmani.
Kritika ndaj institucioneve për menaxhim të fondeve patën edhe deputetët anëtarë të Komisionit.
“Nëse e shohim kështu mbi 3 milionë euro janë duke u paguar vetëm për interes për gjykata dhe përmbarime nga buxheti i shtetit, për shkak të pakujdesive të organizatave buxhetore, të cilat nuk i kryejnë obligimet ndaj operatorëve ekonomikë. Nëse e shohim në dy vjetët e fundit është një rritje dhe duhet adresuar këto në prokurori”, ka thënë Eman Rrahmani i LVV-së.
“Ajo që unë po e kërkoj duhet të shikohet sistemi në mënyrë që në raporte të auditorit të bëhen përgjegjës edhe ata që e kanë obligim të kontrollojnë sistemin, edhe nëse ndërrohet ministri, edhe nëse ndërrohet Qeveria. Ata e kanë obligim që ta mbrojnë sistemin”, tha Vlora Limani-Hajnuni, deputete e LDK-së.
Kritika pati edhe për pagesat e punonjësve të ish-strukturave paralele, ku vetëm gjatë vitit të kaluar janë shpenzuar mbi 1 milion euro.
“Është e vërtetë që ata paguhen, janë paguar edhe nga Qeveria paraprake, vazhdojnë ta paguhen edhe nga ne. Besoj që ky është një problem politik që kërkon një qasje më gjithëpërfshirëse”, tha ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.
Ndërsa për çështjen e mosshfrytëzimit të kredive, ka thënë se janë duke punuar që kjo çështje të zgjidhet, pasi problematike është çështja e shpronësimeve nëpër projekte kapitale.