Në një kohë kur ekonomia e Kosovës po pëson rënie si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, roli i diasporës në ekonominë e Kosovës vazhdon të jetë tejet i madh.
Instituti GAP ka bërë një hulumtim, me titull “Ndikimi i diasporës në ekonominë e Kosovës gjatë pandemisë COVID-19”.
Përveç remitencave të cilat kanë shënuar rritje gjatë pandemisë, rënie vërehet në investimet e diasporës në patundshmëri në Kosovë dhe blerje të gjësendeve për familjarët. Ajo çfarë mbetet më me ndikim për ekonominë tonë sipas këtij instituti, janë të hyrat nga shpenzimet që bën diaspora gjatë vizitave në Kosovë, e të cilat kanë rënë ndjeshëm. Para pandemisë, shpenzimet e diasporës gjatë vizitave në Kosovë llogaritej të kapnin vlerën mbi 328 milionë euro apo 4.6% të BPV-së në vit. Ndërsa këtë vit, përfitimi i ekonomisë së Kosovës pritet të jetë i vogël, rreth 0.55% deri 1.83% të BPV-së.
Një mënyrë tjetër se si diaspora i ndihmon familjarët në Kosovë është edhe
përmes dhurimit të gjërave dhe shërbimeve për familjet e tyre si: rroba, vetura, tokë, mobilje etj.
Numri i veturave të importuara gjatë periudhës mars-gusht 2020, jep indikacion se kjo formë e ndihmës nga diaspora ka rënë gjatë pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. Për këtë periudhë janë importuar rreth 4 mijë vetura më pak (30%) krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar.
Në periudhën janar-gusht të vitit 2020, vlera e remitencave të dërguara në
Kosovë nga diaspora ishte 608.5 milionë euro apo rreth 55.4 milionë euro (10%) më e lartë se në vitin 2019.