A do të vazhdojë mbyllja gjatë vikendit?

Ministria e Shëndetësisë të premten mbrëma ka marrë vendim mbi shtatë komuna të Kosovës ku gjendja me COVID-19 paraqitet të jetë më e rëndë.

Qytetarët e Prishtinës, Fushë Kosovës, Gjilanit, Obiliqit, Gjakovës, Podujevës dhe Shtimes nuk kanë mundur të kenë hyrje dalje që prej orës 20:00 të 6 nëntorit e nuk do të mund të lëvizin deri në orën 05:00 të 9 nëntorit.

Por, përveç vendimit dhe njoftimit se çdo komunë tjetër që hynte në zonën e kuqe të infeksionit për kokë banori do të karantinohet, nuk është dhënë sqarim tjetër nëse kjo masë do të ishte në fuqi edhe gjatë vikendeve të tjera.

Reklama e sponzorizuar

Në të njëjtën ditë janë marrë edhe vendime të tjera nga Qeveria e Kosovës, që do të ishin në fuqi në vikend. Nga e premtja deri të hënën në tërë territorin e Kosovës është ndaluar veprimtaria e shumë bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketet, subjektet që ofrojnë shërbimet e gastronomisë e të tjera.

Nga Ministria e Shëndetësisë për KOHËN kanë thënë se gjatë javës, Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë do të dalë me njoftim të ri dhe do të bëjë vlerësimin e gjendjes epidemiologjike, rrjedhimisht edhe të masave në fuqi.

“Gjatë javës, Komiteti vlerëson efektin e masave të vikendit dhe nevojën se a duhet apo jo që të vendosen edhe për vikendin tjetër”, kanë thënë nga Ministria.

Në masat e përgjithshme ku hyjnë ato për mbylljen e veprimtarive në tërë Kosovës, u lejuan të hapen vetëm furrat e bukës, barnatoret, marketet e vogla, pompat e derivateve, institucionet shëndetësore publike dhe private, shërbimet lidhur me menaxhimin e COVID-19, operatorët ekonomik dhe transporti i mallrave.

Kurse, në masat e veçanta për shtatë komunat në karantinë, u lejua vetëm hyrja dalja e personelit shëndetësor dhe të sigurisë, qytetarëve për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave, operatorëve ekonomik, kompanitë ndërtimore dhe operatorët që kryejnë punë publike.