Ministria reagon pas protestës së fermerëve: Procedurat nuk janë kundër fermerëve, por ndaj operatorëve të biznesit

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka reaguar pas protestës së fermerëve të qumështit, të cilët një ditë më parë derdhën qumësht para objektit të ministrisë, duke kundërshtuar ndërprerjen e grumbullimit të qumështit dhe uljen e çmimit të tij.

Në një komunikatë për media, ministria ka deklaruar se respekton të drejtën e fermerëve për të protestuar dhe se i kupton shqetësimet e tyre, duke i cilësuar ata si bazën e prodhimit vendor dhe partnerin më të rëndësishëm në garantimin e sigurisë ushqimore.

Sipas MBPZHR-së, fermerët nuk janë objekt i procedurave administrative që janë duke u zhvilluar.

“Është me rëndësi të theksohet se fermerët nuk janë objekt i procedurave administrative që janë duke u zhvilluar. Këto procedura kanë të bëjnë ekskluzivisht me respektimin e detyrimeve ligjore nga operatorët e biznesit me ushqim dhe nuk cenojnë punën apo kontributin e fermerëve”, thuhet në reagim.

Ministria ka bërë të ditur se është duke bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse dhe përfaqësuesit e sektorit për të siguruar vazhdimin e grumbullimit të qumështit të freskët dhe për të shmangur dëmet ekonomike për fermerët.

Sipas komunikatës, veprimet e ndërmarra në sektorin e qumështit nuk janë masa kundër industrisë së përpunimit, por synojnë forcimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorëve dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë operatorët në treg.

Ministria thekson se respektimi i standardeve të sigurisë ushqimore është një domosdoshmëri ligjore dhe ekonomike, duke përmendur cilësinë e produkteve, gjurmueshmërinë e lëndëve të para, deklarimin e saktë të përbërjes dhe etiketimin transparent si elemente kyçe për ruajtjen e besimit të konsumatorëve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimit vendor.

LEXO EDHE:

Me cisterna dhe traktorë para Ministrisë, fermerët e qumështit protestojnë sot

Në kuadër të këtyre masave, MBPZHR njofton se ka forcuar kontrollet zyrtare në kufi dhe në treg, ka intensifikuar analizat laboratorike dhe ka vendosur raportimin e detyrueshëm për lëndët e para që përdoren në sektorin e qumështit.

Ministria shton se fermerët kanë të drejtë të presin që qumështi i tyre të vlerësohet drejt dhe të mos zëvendësohet në mënyrë të padrejtë nga alternativa që nuk deklarohen ose nuk përdoren sipas kërkesave ligjore. Njëkohësisht, thekson se konsumatorët kanë të drejtë të informohen saktë për përbërjen e produkteve që blejnë.

Në fund, MBPZHR rithekson se mbetet e përkushtuar për zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë, mbrojtjen e interesit publik dhe mbështetjen e një sektori të qëndrueshëm, transparent dhe konkurrues të qumështit, duke shtuar se procedurat administrative do të vazhdojnë në bazë të ligjit dhe provave, pa u ndikuar nga presionet. /Buletini Ekonomik/