Mosardhja e diasporës këtë vit shkaku i kufizimeve në rajon, në luftën kundër përhapjes së pandemisë, ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në ekonominë e Kosovës, përcjell Buletini Ekonomik.
Nga Instituti GAP thonë se dëmi i shkaktuar në të hyrat e ekonomisë së Kosovës nga mos ardhja e diasporës pritet të jetë nga 205 deri në 291 milionë euro në vitin 2020.
Ndërkohë, sipas të dhënave nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve, në periudhën janar-gusht 2020, numri i vizitorëve nga jashtë në Kosovë ishte rreth 62.5% më i ulët se në periudhën e njëjtë të vitit 2019.
Sipas tabelës së paraqitur më poshtë, nga analiza e Institutit GAP, me titull: “Ndikimi i diasporës në ekonominë e Kosovës gjatë pandemisë COVID-19”, del se rënia më e madhe e vizitave ka qenë nga mërgimtarët që jetojnë në Zvicër, Gjermani, Turqi, Austri, Mbretëri e Bashkuar. Por edhe vendet e tjera kanë parë një rënie të lartë të vizitave në Kosovë nga shtetasit e tyre.
Prej 595 mijë e 456 udhëtarëve nga Zvicra në periudhën janar-gusht të 2019-s, këtë vit në drejtim të Kosovës kanë udhëtuar vetëm 239 mijë e 308 veta. Gati si njësoj janë shifrat edhe prej shtetit fqinj të Zvicrës, Gjermanisë. Shifrat sa i përket Turqisë po ashtu janë të larta. Më 2019, numri i udhëtarëve nga Turqia në Kosovë ishte 248 mijë e 311, derisa këtë vit ka qenë vetëm 75 mijë. /Buletini Ekonomik/