Çfarë thonë pronarët e kafiterive për masat e fundit të Qeverisë?

Gastronomia është sektori më i goditur nga pandemia Covid-19.

Masat e fundit të Qeverisë së Kosovës pritet ta përkeqësojnë gjendjen në këtë sektor.

Pronarët e disa kafiterive në kryqytet thonë se puna ka rënë mbi 50 për qind.

Reklama e sponzorizuar

Flakron Ramizi, pronari i kafiterisë, “Missini sweet” në qendër të Prishtinës, thotë se gjatë kësaj periudhe ka larguar vetëm dy punëtorë, edhe pse jo me vullnetin e tij.

“Masat e para ishin shumë të dëmshme për bizneset e sidomos për gastronominë, mirëpo më pas me lirimin e tyre, fillojë të rritej puna dhe se tani momentalisht më këto masa të reja në një farë mënyre neve si biznes sikur na detyrojnë ta mbyllim biznesin”, u shpreh Ramizi.

Sipas tij, Qeveria nuk po i ndihmon bizneset, edhe pse ata i përmbushin të gjitha rregullat ligjore si biznes.

“Kjo do të thotë pothuajse mbyllje e biznesit, edhe pse ne si biznes i paguajmë TVSH-në, Qeveria nuk na ndihmon dhe mundohen të na prekin në çdo kusht”, tha tutje Ramizi.

Në gjendje të rëndë është edhe njëra prej kafiterive tjera në Prishtinë, e cila tha se megjithëse kjo gjendje është e dëmshmë për biznesin e tyre, më esenciale dhe më me rëndësi është jeta e njerëzve.

 Ata, në kushte anonimiteti, thanë se në biznesin e tyre nuk ka asnjë përfitim dhe se gjendja financiare e tyre është shumë e keqe. Puna në këtë biznes thonë se ka rënë diku 70%.

Ata thanë se nuk kanë larguar asnjë punëtorë nga puna, mirëpo kanë aplikuar punën me rrotacion mes punëtorve, që i bie se një javë punon njëri punëtor, kurse javën tjetër pushon, por pa pagesë.

Edhe nga kafeneja tjetër e intervistuar nga Buletini Ekonomik, në kushte anonimiteti, u shprehën të pakënaqur me masat e fundit të Qeverisë, të cilat i cilësuan si të papranueshme pasi bizneset e gastronomisë po ngulfatën dhe shumë punëtorë do të mbesin pa punë, e që shkakton direkt rënie të ekonomisë.

 “Gjendja aktuale është e keqe, sidomos muajin e fundit sepse nuk ka klienta shumë dhe se jeta e natës e shkakton pikërisht këtë rënie pasi ne si biznes përfitojmë prej jetës së natës e kjo e shkakton një rënie drastike të punës”, ka thënë njëri prej punonjësve të kësaj kafeneje.

Rënia e punës edhe në këtë lokal kishte arritur në 70%, mirëpo largim të punëtorëve nuk kishte pasur pasi kanë funksionuar me nga gjysëm orari të punës. /Buletini Ekonomik/