​Harta epidemiologjike, sot pritet publikimi i vendimeve të reja për secilën komunë

Ministria e Shëndetësisë nesër pritet të hap konkursin për punësimin e specializantëve të papunë. Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për media, ka thënë se sot pritet të bëhen publike edhe vendimet e reja për secilën komunë sipas hartës epidemiologjike.

Ministri Zemaj tha se nuk do lejojë që asnjë mjekë-specializantë të mbetet i papunë dhe të gjithë ata do kenë vend në institucionet publike shëndetësore.

“Nga nesër do të hapet konkursi për specialistët e papunë, kërkoj që të ndiqni të gjitha procedurat e rekrutimit dhe konkursi të jetë i hapur dhe transparent. Armatës së mjekëve po i shtohet profesionalizmi, përkrahje e cilësisë së përkujdesjes ndaj qytetarëve dhe shëndetit publik. Dua t’iu kujtoj se para disa ditëve edhe 1500 kolegë tuaj më të rinj iu bashkuan kuadrit specialistik. Pra, nga sot nuk ka më asnjë mjek e as specialistë që do mbetet në rrugë. Mjekët 1500 që tashmë janë punësuar dhe të gjithë mjekët specialistë do jenë të punësuar. Edhe në të ardhmen nuk do lejoj që asnjë mjekë të jetë i papunë, të gjithë specialistët do kenë vend në spitale, specialistët do të punësohen në institucionet publike shëndetësore ndërsa mjekët do e fitojnë specializimin” , tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Udhëheqësi i shëndetësisë kosovare tha se pasdite do të bëhen publike vendimet e reja për secilën komunë krahas hartës epidemiologjike.

“Sot e kemi vlerësimin nga Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike edhe nga bordi këshilldhënës, parametrat janë tashmë të përcaktuar me vendimin e qeverisë pas orës 15:00 do publikohen vendimet e reja për çdo komunë sipas hartës epidemiologjike e cila paraqitet para Ministrisë së Shëndetësisë”, theksoi Zemaj.

Kurse, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Saudin Maliqi e ka mirëpritur punësimin e specializantëve të papunë. Ndërsa ka shtuar se Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe spitalet janë mobilizuar kundër luftës me pandeminë.

Ai tha se QKUK është e ngarkuar por që gjendja vazhdon të jetë stabile dhe nën kontroll.

“Qendra Klinike Universitare, spitalet regjionale në kuadër të SHSKUK-së janë të mobilizuara që të kalojnë këtë sfidë siç e dini jeni të ngarkuar pasi që është rritur edhe numri i rasteve me infeksion. Gjendja është stabile, e përballueshme, e ngarkuar dihet por me një organizim të brendshëm të njësive i kemi arritur që deri më tash ta kontrollojmë“, theksoi Maliqi.

Maliqi ka thënë se mediat mund të marrin tashmë informacione për gjendjen në Shërbimin Spitalor Klinik Univeristar vetëm duke marrë leje për intervistim apo qasje në informacione nga zyra për informim.

“Komiteti ka vendosur që të respektohet ligjshmëria dhe rregullorja e cila është e SHSKUK-së dhe ajo nënkupton që zyra e informimit e SHKSUK është e vetmja zyre e cila duhet të jap informacionet publike zyrtare për SHSKUK, andaj asnjë informacion nuk do jetë i mangët për ju do keni qasje të plotë. Por që duhet të kërkohet leja paraprake ose të informoheni përmes zyrës për informim, ose ajo do iu jap të drejtën që të intervistoni apo të keni qasje në secilën nga institucionet tona”, deklaroi Maliqi.

Kujtojmë që tashmë sektori publik të shëndetësisë i janë shtuar edhe 1500 specializantë.