Kampioni, Postë Telekomi i Kosovës, ka rënë në nokaut. Ndërmarrja që gjeneronte më së shumti të hyra nuk është as aset nacional e lëre më mburrje për ekonominë. Të dy ndërmarrjet, Telekomi i Kosovës dhe Posta e Kosovës – që dikur funksiononin si një – janë bërë barrë për taksapaguesit.
Keqmenaxhimi, mungesa e llogaridhënies, depërtimi i shpejtë i operatorit të dytë, e aktivizimi i operatorit të tretë virutal që funksiononte me infrastrukturën e PTKsë i dërguan në zgrip. Dirigjent i gjithë kësaj është politika.
“M’u ka zbrazë krejt fyti”, dëgjohet Adem Grabovci në një përgjim telefonik të realizuar në 2011-n, tek i ankohet Shkëlqim Devollit, drejtor i një korporate që e ka në pronësi operatorin virtual “Z-Mobile”. “U bo shef. Qe po t’i çoj”, ia kthen Devolli. Duke “mbushur” fytin e njerëzve të politikës, kontoja e Telekomit ka mbetur tashmë pa as edhe një cent. Në krejt këtë kanë ndihmuar udhëheqësit e ndërmarrjes, të cilët u vendosën në ato pozita me ndihmën e politikës. Telefonia mobile që me vite të tëra i kishte dhënë buxhetit të shtetit miliona euro dividendë, ndodhet në prag të falimentimit. Në këtë ka ndikuar edhe një marrëdhënie e dëmshme kontraktuale me operimin e “ZMobile”, të cilën e kishte lidhur pararendësja e Telekomit, Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK). Grabovci ishte shef i grupit parlamentar të PDK-së kur kishte rënë në përgjime, në një proces hetimi për korrupsion që lidhej me kohën sa ishte zëvendësministër i Transportit dhe Telekomunikacionit.
E partia që i takon, për afro një dekadë ka qenë forcë kryesore në pushtet. Asaj i faturohet edhe “misioni” i shembjes graduale të operatorit publik të telefonisë. Por, ky “mision” është vazhduar edhe nga partitë e tjera politike. Së fundmi pjesë e këtij “misioni” është edhe AAK-ja e Nisma.
Favorizimi i “Z-Mobile”
Një goditje e rëndë nga këta njerëz e mori këto ditë, kur Telekomit iu bllokuan llogaritë në emër të borxhit ndaj Z-Mobile. Kësaj ia hapi rrugën tërheqja e padisë që Telekomi kishte bërë më 1 gusht të 2013-s ndaj vendimit të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare, lidhur me serinë numerike për ofrimin e shërbimeve të telefonisë mobile, për përdorim nga operatori virtual “Dardafon.net”. Ndaj kësaj padie ka hequr dorë Telekomi më 5 shtator të 2019, në kohën kur ndërmarrja udhëhiqej nga Bedri Istrefi, në Bord kishte njerëz të afërt me AAK-në dhe Nismën.
“Përfaqësuesit e palës paditëse me parashtresën e datës 5.9.2019 e njofton gjykatën se e tërheq padinë e parashtuar më datën 1.8.2013 të parashtruar pranë kësaj gjykate, për arsye se për objektin e këtij konflikti administrativ është vendosur me vendim përfundimtar të Tribulanit të Arbitrazhit në Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë në Parisë më 9 dhjetor 2016”, thuhet në vendimin e siguruar nga KOHA, e që është lëshuar një ditë pas shkresës që kishte bërë Telekomi për tërheqje të Padisë. Në padinë e Telekomit që nuk u zgjidh për 7 vjet, pretendohej që ARKEP-i në mënyrë të jashtëligjshme po detyron që numrat të alokohen tek operatori virtual. “Vendimi i ARKEP-it, me të cilin e detyron për diçka që nuk është në harmoni me legjislacionin është vendimi i kundërligjshëm, sepse PTK-ja me asnjë dispozitë ligjore e as të Marrëveshjes MNOPTK dhe MVNO-Dardafon.net LLC, nuk është e detyruar të ndajë numeracionin shtesë për “Z-Mobile” dhe mbetet në vullnetin e palëve kontraktuese të zhvillojnë dhe zgjerojnë biznesin e tyre sipas vullnetit të tyre”, thuhet në padi. Kontrata mes Telekomit dhe “Dardafonit” ishte arritur nën rrethana të dyshimta.
Ajo u bë përmes një praktike që ndiqej nga kompanitë e telekomunikacionit në Perëndim dhe që quhej MVNO (Mobile Virtual Network Operator). Këtë lloj praktike kompanive ua imponon shteti, me arsyetimin që kompanitë e mëdha të telekomunikacionit nuk kanë interesa për të ofruar një shërbim të caktuar apo një rajon ku nuk ia vlen barra qiranë, kurse qeveritë janë të interesuara që këtë shërbim ta kenë të gjithë, dhe detyrojnë kompanitë që të angazhojnë operatorë të tipit MVNO. Kjo kontratë sipas shoqërisë civile ishte bërë pasi grupi i interesit, që ishte prapa “ZMobil”, ishte direkt i lidhur me pushtetin. Në pjesën e parë të 2007-s, PTK-ja që kishte për kryeshef Etrur Rrustemajn, vëlla i deputetit të PDK-së, Naim Rrustemaj. E kryetar Bordi ishte Ilir Salihu. Atëkohë kompania kishte publikuar një shpallje të titulluar “Mundësi atraktive për operatorët mobilë virtualë (ORMV)”.
Me të shprehej interesi i PTK-së për “ndërmarrje të përbashkët” me “operatorët e mundshëm të rrjetave mobile virtuale”. Me këtë shpallje ata kërkonin “operator virtual” i cili, duke shfrytëzuar infrastrukturën e PTK-së do të ofronin të njëjtat shërbime që ofronte vetë PTK-ja. Sipas njohësve të telekomunikacionit, ky ishte një tender për t’i krijuar konkurrent kompanisë, me pasurinë e vetë kompanisë. Ndërkohë në gusht të vitit 2008, një marrëveshje parimore me “Dardafon LLC” e kishte nënshkruar pasuesi i Rrustemajt, Adnan Merovci, i cili në krye të PTK-së kishte qëndruar fare shkurt. Bordi që drejtohej nga Rexhë Gjonbalaj ishte i vendosur ta shtynte përpara projektin. Në fund të atij viti, në krye të PTK-së ishte vënë Shyqri Haxha, e të cilit i ishte ofruar kontrata për ta vënë firmën, por tani me një kompani që kishte ndërruar emrin duke u shndërruar nga “Dardafone LLC” në “Dardafone.net”. Pas disa përplasjesh publike e në fund të marrëveshjes mes Ardian Shatkut që përfaqësonte të parën, e Blerim Devollit të dytën, përfundimisht kontrata ishte lidhur me “Dardafone.net” dhe emri komercial i operatorit virtual ishte vënë “Z-Mobile”. Këtij operatori që ishte aktiv nga janari i 2010-s iu ofruan 200 mijë numra dhe ia linte fitimin, fillimisht në shkallë 78 për qind, e më pas 73 për qind. Ky fitim sigurohej përmes infrastrukturës së PTK-së. Për këtë proces kundër Shyqyri Haxhës, bashkë me drejtues të Bordit të PTK-së dhe atyre të kompanisë “Dardafone.net” ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria, nën dyshimet për dëmtim të PTK-së dhe korrupsion. Por, në këtë proces gjyqësor që nuk kishte përfunduar me dënim, ishte përmendur edhe emri i Hashim Thaçit si një nga njerëzit që kishte ndikuar në procesin e përzgjedhjes. Thaçi ishte kryeministër atëkohë. Kjo kontratë mbeti në fuqi. Përkundër fitimeve, “Z-Mobile” nuk ishte e kënaqur me zbatimin e saj dhe ka hedhur PTK-në në Arbitrazh, nën arsyen për mosfurnizim me SIM kartela, mosfurnizim me numra, mosofrim të shërbimeve 3G dhe 4G, si dhe për ulje të cilësisë së shërbimeve. Epilogu i këtij procesi e dërgoi në zgrip Telekomin. Kërkohej që “Z-Mobile” të kompensohet në vlerë prej rreth 26 milionë eurosh si dëm i llogaritur dhe asaj t’i mbuloheshin shpenzimet në Arbitrazh, si dhe të njihej kamata e lartë për kohën sa dëmi nuk do të kompensohej nga PTK-ja. Borxhi ndaj kompanisë kalonte mbi 32 milionë euro. Një vendim i tillë i Arbitrazhit u njoh edhe nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Ndërkohë vendimi i Themelores u vërtetua edhe në Apel. Si pasojë, javën që lamë pas për herë të dytë, Telekomit iu bllokuan llogaritë bankare. Por, për dallim nga hera e kaluar që me ndërhyrje të Qeverisë u debllokuan llogaritë, këtë herë edhe pse ishte arritur një marrëveshje në parim mes Telekomit dhe “Z-Mobile” me ndërmjetësimin e Qeverisë, për shlyerjen e borxhit brenda dy vjetëve, “Z-Mobile” ka tërhequr mjetet nga llogaritë e Telekomit. Shkaku i kësaj të gjitha shërbimet e ofruara nga Telekomi rrezikojnë të ndërpriten. Përveç shërbimeve, mbi 3 300 punëtorë të Telekomit e Postës së Kosovës rrezikojnë të mbesin pa paga. Sipas Telekomit, me ndaljen e shërbimeve rrezikohet siguria kombëtare, duke marrë parasysh faktin se i gjithë shteti i Kosovës dhe të gjitha agjencitë shtetërore kanë qenë dhe mbeten të lidhura me shërbimet e Telekomit të Kosovës. Ndërkohë menaxhmenti i kaluar, i cili përbëhej kryesisht nga njerëz të politikës, e veçmas të AAK-së të udhëhequr nga ishkryeministri Ramush Haradinaj, kishin marrë vendim për mosvazhdimin e kontratës me “Z-Mobile”. Por, për këtë kompania “Z-Mobile” e ka dërguar rastin sërish në Arbitrazh. Vetëm një analizë financiare të kontratës mes Telekomit dhe “Dardafon.net” që kishte bërë vitin e kaluar i ka kushtuar Telekomit hiç më pak se 93 mijë euro apo trefish më shumë sesa që kishte planifikuar. Ajo planifikonte që këtë ta bënte me 30 mijë euro, por kompania që fitoi tenderin u shpërblye me 93 mijë euro. Kjo kontratë ishte kryer me procedurë të negociuar të prokurimit pa publikim të njoftimit për kontratë. Telekomi këtë e kishte konsideruar si rast urgjent, edhe pse për këtë menaxhmenti ishte informuar që nga gushti i 2018-s.
Starti i dëmshëm i PTK-së
PTK-ja është paraardhëse e Postës, Telegrafit dhe Telefonit që ishte themeluar në vitin 1959. Sistemi i saj ishte shkatërruar gjatë luftës dhe pas çlirimit kompania kishte rifilluar veprimtarinë, duke mobilizuar punëtorët që ishin dëbuar nga puna qysh në fillim të viteve ’90. PTK ishte fillimisht nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), ndërsa në vitin 2005 ishte transformuar në shoqëri aksionare. Aksionet e saj janë në pronësi të Qeverisë.
Pasi Kosova nuk kishte kod telefonik të vetin, PTK-ja kishte vendosur partneritet me “Monaco Telekomin”. Kontrata me këtë operator ndërkombëtar bëri që të tjetërsohej gjysma e fitimit të PTK-së. Për këtë ishdrejtori i Telekomunikacionit në PTK, në vitin 2003, Bedri Rama, kishte nisur një shkresë tek përfaqësuesit më të lartë shtetërorë, që alarmonte se si një kontratë e re po trashte zullumin në PTK. Në shkresën e tij thuhet se “sipas kësaj kontrate më shumë se gjysma e fitimit nga shërbimet mobile ose 50 deri në 70 milionë euro e merr “Monaco Telekomi”. “Ky është pa asnjë dyshim dëmi më i madh ekonomik që i është shkaktuar Kosovës, pas luftës. Hartuesit e kësaj kontrate janë kujdesur që PTK-ja të mos mund të dalë kurrë nga kjo kontratë. Absolutisht çdo gjë që është shkruar në të është në disfavor të PTK-së”, thuhet në shkresë. Pas luftës Kosova administrohej nga ndërkombëtarët. Bazuar në rregulloret e vendosura nga Kombet e Bashkuara është themeluar PTK-ja. Në kohën sa ishte vendosur në krye të detyrës së drejtorit gjeneral të PTK-së, Erik MacKinlay, kishte planifikuar të rifillojë negociatat me “Monako Telekomin”. Rama kishte kërkuar që negociatat të drejtoheshin nga krerët shtetërorë dhe këtë ia kishte kërkuar nëpërmjet shkresës, drejtuesve të të ashtuquajturve institucione të përkohshme – kryeparlamentarit Nexhat Daci e kryeministrit Bajram Rexhepi, tashmë i ndjerë, sikurse edhe tre ministrave të resorëve ekonomikë, e të cilët u përkisnin dy partive kryesore në pushtet, LDK-së e PDK-së. Por kjo nuk ishte dëgjuar. Kontrata ishte bërë e fitimet tjetërsoheshin.
PTK-ja me rënie të lirë
Në kohën kur PTK-ja kishte monopol të plotë në treg deri në vitin 2007, të hyrat e saj shënuan ngritje të vazhdueshme. Por, një viti më pas të hyrat filluan të tkurrën për 21 milionë euro. Kjo rënie erdhi si pasojë e futjes në treg të operatorit të dytë të telefonisë mobile IPKO. Me hyrjen e këtij operatori në treg Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postrare (ARKEP) pati marrë vendim për çmimet e tarifave të thirrjeve, ku favorizonte operatorin e ri mobil. Këto i krijuan IPKO-s kushte më të favorshme për operim. Që nga viti 2007 kur të hyrat arritën kulmin me rreth 183 milionë euro, të ardhurat bruto të kompanisë kanë shënuar rënie të vazhdueshme dhe në vitin 2014 ndërmarrja ka arritur të gjenerojë vetëm 99.5 milionë euro. Ndërmarrja u zhvlerësua viteve të fundit. Krejt kjo është bërë kur në borde dhe në menaxhment të ndërmarrjes janë vendosur njerëz të politikës. Në vitin 2008 në krye të Bordit të PTK-së ishte emëruar Rexhë Gjonbalaj, ish-kryetar i Degës së PDK-së në Pejë. Nga ajo kohë ka pasur rënie drastike të dividendit. Në procesin e vendosjes së operatorit të dytë mobil është raportuar se ka pasur shkelje pa fund dhe se politika kishte interesa të lidhura me grupe të interesit. Është raportuar se ish-zyrtarë të PDK-së kishin aksione në tregun privat të telefonisë mobile, ndërkohë që kishin edhe kompetenca direkte dhe indirekte mbi kompaninë publike të telekomunikacionit. Organizata “Çohu” kishte zbuluar se si “është nominuar Bordi i AKM (tashti AKP) nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, dhe u konfirmua nga ish-PSSP, Joachim Rucker. Kryetar Bordi atëkohë qe nominuar Dino Asanaj, për të cilin ne gjetëm dokumente se kishte aksione në kompani private të telekomunikacionit”. Një tjetër rast që ishte parë se interesat jopublike po përfshiheshin në këtë sektor, ishte angazhimi si këshilltar transaksioni i kompanisë ndërkombëtare me seli në Austri, Wolf Theiss, në procesin e privatizimit. Kjo kompani në kohën e tenderit për operatorin e dytë të telefonisë mobile, duke përfaqësuar Telekom Austria, kishte iniciuar pesë raste gjyqësore kundër autoriteteve kosovare me pretendimin se fituesja fillestare e tenderit Telekom Austria ishte diskualifikuar padrejtësisht edhe pse fillimisht ishte shpallur fitues. “Çohu” kishte ngritur dyshimet për një marrëveshje të pashkruar që në këmbim të heshtjes kjo kompani të angazhohej në privatizimin e PTK-së. Në atë kohë me kërkesë të kompanisë “Telekom Austria” dhe Wolf Theiss ishin anuluar investimet në Telekom. Në këtë mënyrë, PTK-ja ishte e paaftësuar për konkurrencë për shkak të ndalimit të investimeve nën arsyetimin se nuk mund të bënte shpenzime para privatizimit, por në anën tjetër ajo po mbushej me të punësuar partiakë, të cilët i kushtonin më shumë sesa vetë investimet e ndërprera. Bazuar në Strategjinë e Privatizimit të PTK-së, në fund të vitit 2011, Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim për ta ndarë Postën e Kosovës nga PTK-ja. Që nga gushti i vitit 2012, Posta e Kosovës Sh.A. funksionon si njësi e veçantë e biznesit. Përgjatë viteve 2010-2013 kishte dy tentime të dështuara për t’i privatizuar 75 për qind të aksioneve të PTK-së. Në vitin 2012, Telekomi kishte 38 milionë e 338 mijë euro, 2 milionë me pak i kishte në 2013, ndërsa rënie drastike në fitim kishte në vitin 2014 dhe 2015. Në vitin 2014 PTK kishte vetëm 16 milionë e 356 euro fitim, për të rënë një vit pas në 6 milionë e 185 mijë. E nga ky bilanc në 2016 PTK e ka përmbyllur vitin me 6 milionë euro humbje. Nëse e shikojmë dividendin apo fitimin që PTK ka ndarë për Qeverinë vërehet se nga 2009 që kishte ndarë 200 milionë euro ajo ka rënë në 15 milionë në vitin 2014, ndërsa nga ai vit është paguar dividendi. Me bilanc negativ financiar e ka përmbyllur vitin edhe Posta e Kosovës.
Kontratat që rëndojnë mbi Telekomin
Një kontratë tjetër që po konsiderohet e ngjashme me atë të “Z-Mobile” është kontrata me “AdvanTech” nga Shqipëria. Bëhet fjalë për kontratën për shërbime të internetit dhe IPTV-së. Por kjo kontratë është nën llupën e Prokurorisë së shtetit nën dyshimin se është e dëmshme për ndërmarrjen. Hetimet kanë nisur bazuar në kallëzimin penal që ka bërë menaxhmenti i kaluar. Përmes kësaj kontrate, të hyrat që hynë nga këto shërbime ndahen në 40 për qind për Telekomin ndërsa 60 për qind për kompaninë private. Një tjetër pikë e kontratës thotë se në rast se kompania “Advan Tech” siguron një klient të ri në zona më të largëta që nuk ka shtrirje të rrjetit, Telekomi është i obliguar që të shtrijë rrjetin deri te klienti, e ajo do të merret vetëm me pajisjen. Për këtë klient sërish kompania merr 60 për qind. Kontrata është nënshkruar në fund të vitit 2019, nga ish-kryeshefi i ndërmarrjes, Bedri Istrefi. Kjo kontratë është lidhur përmes procesit të shprehjes së interesit. Megjithatë, sipas auditorit të brendshëm të Telekomit, kjo nuk është zhvilluar në bazë të asnjë ligji që aplikohet aktualisht në Kosovë. Për shërbimet e kryera kompania do të marrë 60 për qind të të hyrave, kurse 40 për qind Telekomi. Kështu, nëse një pako internet plus IPTV do të kushtojë 22 euro, kompania do të marrë 13 euro, kurse Telekomi – 9 euro. Kontrata me “AdvanTech” është e ngjashme me kontratën që Telekomi e kishte me “Z Mobile” dhe me kompaninë “PayKos”. Një kontratë tjetër e dëmshme për Telekomin konsiderohet edhe ajo me “Pyakos”, për shitjen e mbushjeve. Sipas të dhënave, vetëm katër muaj pasi që ishte regjistruar si biznes, kjo kompani kishte nënshkruar kontratë me Telekomin në vlerë milionëshe. Përmes kësaj marrëveshjeje të arritur në mars të 2015 ajo kishte për obligim shitjen, distribuimin dhe promovimin e mbushjeve Pre Paid. Ajo ishte nënshkruar nga ish-kryeshefi i PTK-së, Agron Mustafa. Sipas kontratës, “PayKos”-i, obligohej që të zgjeronte rrjetin e pikave të shitjes së mbushjeve nëpër Kosovë. Në bazë të dokumenteve, rreth 10 milionë euro është fitimi i kompanisë “PayKos” për katër vjet, nëse llogariten të hyrat nga shitjet që pati kompania, provizioni prej 9.7 për qind dhe zbritjet e bonuset që i shkonin “PayKos”-it. Nga viti i nënshkrimit, “PayKos” ka fituar rreth 7.5 milionë euro si komisione për shitje të mbushjeve, minimum rreth 1 milion euro bonuse për arritje të trageteve, si dhe minimum rreth 1 milion euro për blerjen e mbushjeve me çmime zbritjeje nga operatori. Kohëzgjatja ishte ndryshuar disa herë. Në tetor 2016, palët u pajtuan që marrëveshja të zgjasë deri në 2020 me mundësi vazhdimi edhe për 4 vjet të tjerë. Ndërsa në dhjetor të 2017-s u shtua një afat i ri 5- vjeçar, që fillonte më 1 janar 2018. Edhe kjo kontratë është duke u hetuar nga organet e hetuesisë.
Përfitimet me antena dhe punësime të politikanëve
Krahas kontratave të dëmshme Telekomi u dëmtua edhe me vendosjen e antenave. Mbi 550 antena kishte vendosur PTK-ja në mbarë Kosovën. 300 prej tyre vlerësohet se janë të shpërndara në qytete e 250 në fshatra. Kostoja mujore që Telekomi paguan për to dhe rrymën që ato shfrytëzojnë kap vlerën e 302 mijë eurove, dhe në total në vit për to paguhen 3 milionë e 600 mijë euro. Por, disa prej tyre janë të vendosura në pronat e familjarëve të politikanëve. Agimi është vëllai i katërt i presidentit dhe është më i madh se ai. Bazuar në faturat e siguruara nga KOHA, Agim HaxhiThaçi ka filluar të marrë pagesa nga fundviti i 2006-s, kur është paguar në vlerën prej 723 eurosh. Në vitin 2007, faturat arritën në 7 mijë euro, për t’u ngritur në 10 mijë e 100 euro në vitin 2008, derisa gjatë viteve 2009-2010, Thaçi nga PTK-ja mori 9,120 euro. Por, nga viti 2011, Thaçit më nuk iu pagua rryma dhe, rrjedhimisht, çmimi vjetor zbriti në 3,290 euro. Edhe në vitin 2019 figuron që Thaçi paguhet nga Telekomi. Në total, në këto vite vëllai i presidentit ka marrë nga PTK-ja 59 mijë e 205 euro. KOHA pati raportuar se kishte disa antena në fshatin Burojë, dy të mëdha e disa të vogla dhe, sipas banorëve, Thaçi e ka larguar antenën nga oborri i tij. Në një distancë të largët nga Buroja ndodhet fshati Studime e Poshtme. Dhe lagjja Gërxhaliu e këtij fshati është aty ku është rritur zonja e parë Lumnije Thaçi. Një antenë tjetër e Telekomit ndodhet në shtëpinë e Besim Gërxhaliut. Besimi është vëllai i zonjës së parë. Sipas dokumenteve, Besim Gërxhaliu mori kontratën e parë në vitin 2009 dhe brenda një viti është paguar 2,500 euro. Por, menjëherë në vitin 2010 pagesa iu rrit për 500 euro, ndërsa në dy vjetët e fundit i ishte rritur edhe për 260 euro të tjera. Në total, në këto vite, vëllai i zonjës së parë ka marrë nga Telekomi mbi 30 mijë euro. Krahas kësaj, edhe punësimet familjare e partiake kanë rënduar me vite gjendjen financiare të Telekomit. Gjatë kohës sa Ramush Haradinaj ishte në pushtet, një pozitë shumë të rëndësishme brenda Telekomit kishte marrë Vesmira Haxhaj – Haradinaj. Kunata e Haradinajt u bë zëvendësdrejtoresha e re e Financave në ndërmarrjen publike. Punësimi i saj e shton listën e gjatë të të punësuarve me nepotizëm, në valën e madhe të punësimeve në Telekom, të nisur nga shkurti i vitit 2018, pak muaj pasi që AAK-ja e mori pushtetin. Në atë kohë brenda një jave ishin punësuar 100 persona, shumica e të cilëve kishin afërsi politike me AAK-në. Gjatë asaj kohe ishte punësuar djali i Muharrem Nitajt, vjehrri i Mërgim Lushtakut, bashkëshortja e Mërgim Lushtakut, bashkëshorti i Donika Kadaj-Bujupit, djali i Teuta Haxhiut, reja e Pal Lekajt, ish-bashkëshortja e Argjend Zejnajt, motra e Bekë Berishës dhe katër fëmijët e ish-anëtarit të Bordit të Telekomit që vjen nga Nisma, Osman Ejupi. Keqpërdorime të subvencioneve dhe punësime pa kriter ka edhe në Postën e Kosovës. Të dhënat e Auditorit tregojnë se nga 720 mijë euro që Posta e Kosovës i kishte marrë vitin e kaluar si subvencion nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) për shtyrjen e borxheve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, 320 mijë i ka shpenzuar për destinime të tjera. Shkaku i kësaj mospagese ATK-ja kishte bllokuar llogaritë bankare Postës, por të cilat u liruan pas intervenimit nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, përkatësisht ish-MZHE-ja. Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Postën e Kosovës janë ngritur dyshime për shpenzim jo të drejtë të këtyre mjeteve nga vetë ndërmarrja dhe mosarsyetimin e destinimit të mjeteve të mbetura. Në këtë ndërmarrje ka pasur edhe punësime pa kriter. Edhe pse në konkurse kërkohej përvojë rreth 3 vjet për pozita të caktuara, Posta kishte marrë punëtorë pa përvojë. Krejt këto kishin ndodhur në kohën kur në krye të kësaj ndërmarrjeje ishte Sejdi Hoxha, tani deputet i PDK-së. Me ndërrimin e pushteteve dhe ardhjen në krye të Qeverisë Albin Kurti, nga këto ndërmarrje publike ishin shkarkuar bordet, dhe në to ishin vendosur borde të përkohshme. Por, ashtu siç nuk e pati gjatë Qeveria Kurti, nuk e patën gjatë as ato borde, të cilat së fundmi janë zëvendësuar nga Qeveria Hoti me njerëz të rinj, por që kanë prapavijë politike.